Rasti “Banjska”- Dëshmitari nga Shkupi thotë se dëgjoi të shtëna armësh e pa persona të uniformuar e të armatosur përreth hotelit
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në seancën ndaj të tre akuzuarve lidhur me sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në fshatin Banjskë të Zveçanit: Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq dhe Blagoje Spasojeviq, dëshmitari Goran Tanevski tha se ditën kritike derisa po qëndronte me familje në hotel, dëgjuan të shtëna armësh, e pa njerëz të uniformuar e të armatosur përreth hotelit.
Dëshmitari Tanevski i cili u dëgjua të mërkurën përmes video-lidhjes, tha se në ditën kritike po qëndronte si turist në hotelin “Ranjska Banja” në Banjskë, raporton “Betimi për Drejtësi“, transmeton Periskopi.
Ai tha se ditën kritike kishte parë persona që nuk janë dukur si turistë, kishte dëgjuar të shtëna armësh dhe pa njerëz të uniformuar përreth hotelit dhe një tjetër që qëndronte në hotel.
Për personin që kishin parë jashtë hotelit, dëshmitari tha se ai mbante uniformë, kishte municion dhe bombë.
“Pamë dy veta në uniformë pa shenja, pa distiktiv dhe me armë ushtarake, ai që ishte në hotel mund t’ia shihnim vetëm pushkën se uniformën jo, sepse ne ishim poshtë shkallëve. Ai po kërkonte një batanije apo të ngjashme”, tha Tanevski.
Sipas dëshmitarit Tanevski, dikush ju kishte kërkuar të qëndornin në dhomat e tyre, ndërsa pohoi se ky veprim i këtij personi ishte një detyrim që ata të ktheheshin në dhomat e hotelit.
Sa i përket qëndrimit në hotel, dëshmitari Tanevski tha se kishin planifikuar që aty me familjen e tij të qëndronin nga dita e premte kur kishin shkuar, deri të dielën, por për shkak të ngjarjeve që ndodhën aty, ata ishin larguar të hënën. Tha se kishte vështirësi gjatë qëndrimit aty.
“Pas asaj që ka ndodhë, herën e parë që kemi ngrënë ka qenë të hënën. Të dielën pasdite erdhi një moment që edhe uji u shkyç” tha Tanevski.
Dëshmitari Tanveski u shpreh se nga ajo ditë vendosi që mos të vie asnjëherë në Kosovë dhe ende mban traumat e asaj dite.
Ai dekaroi se kur e kujton ngjarjen e 24 shtatorit 2023, ndjen stres, pasiguri dhe frikë, duke theksuar se ndjehet përgjegjës për atë që përjetoi familja e tij.
“Unë prej asaj dite vendosa të mos vij asnjëherë në Kosovë. Ajo që ndodhi atë ditë nuk mund ta harroj. Unë i dërgova atje të pushojnë, u ndjeva përgjegjës për atë që ata përjetuan dhe atë që unë përjetova dhe sot e kësaj dite kur më kujtohet çka ndodhi ndjej stres, pasiguri dhe frikë”, tha Tanevski.
Dëshmitari Tanevski deklaroi se u kontaktua nga zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme ku ishin udhëzuar të dilnin jashtë dhe se aty ishin Policia e Kosovës ku me veturat e tyre zyrtare ishin larguar nga aty.
“Me komunikimin që patëm me përfaqësuesit e Ministrisë së Jashtme, më thanë të dal jashtë se është duke ju pritur Policia e Kosvës. Ne dolëm, na bastisën dhe pastaj me veturat e tyre zyrtare na dërguan”, tha Tanevski.
Mbrojtësja e të akuzuarit Maksimoviq, avokatja Jovana Filipoviq deklaroi se për njërin nga dëshmitarët e aprovuar nga trupi gjykues, ka kuptuar nga mbrojtësi i tij se ai më parë është dëgjuar në cilësinë e të dyshuarit, andaj ka pengesa procedurale në dëgjimin e tij si dëshmitarë
Në këtë situatë, ajo kërkoi nga trupi gjykues, që ta obligojë Prokurorinë ta konfirmojë nëse ai është dëgjuar më parë si dyshuar.
Më pas, trupi gjykues mori aktvendim me të cilin e obligoi prokuroin Naim Abazi që deri në sesionin e pasdites të shpjegojë nëse dëshmitari ka pasur cilësinë e të bashkë të pandehurit dhe nëse ka qenë i përfshirë në aktvendimin për fillimin e hetimeve, pavarësisht statusit që i ka dhënë policia gjatë marrjes në pyetje.



