Reçica i PDK-së: Vetëvendosje po tenton të vendos njeriun e tyre në Agjencinë për Informim dhe Privatësi

Reçica i PDK-së: Vetëvendosje po tenton të vendos njeriun e tyre në Agjencinë për Informim dhe Privatësi

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Elmi Reçica ka thënë se konkursi për përzgjedhjen e Komisionerit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi është i kundërligjshëm, duke thënë se Vetëvendosje po dëshiron që në këtë pozitë të vendos ‘njeriun e tyre’.

Reçica që është pjesë e Komisionit Parlamentar për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes të Kuvendit, ka thënë se ky vendim paraqet shkeljen e praktikave të mëparshme të Kuvendit dhe se është e rrezikshme për demokracinë tonë.

“Vendimi i Komisionit Parlamentar për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i datës 20.04.2021, për hapjen e konkursit për përzgjedhjen e Komisionerit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi është i kundërligjshëm pasi tërë komisionin parlamentar e shndërron në panel vlerësues, respektivisht komision përzgjedhës. Ky vendim paraqet shkelje të praktikës së deritanishme parlamentare, anashkalon memorandumin e bashkëpunimit që Kuvendi i Republikës ka bërë me Ambasadën Britanike dhe shpreh qëllimin e partisë në pushtet për të vendosur njeriun e tyre në këtë agjencion të pavarur.”, ka shkruar ai në profilin e tij në Facebook, transmeton Periskopi.

Tutje, Reçica ka theksuar se VV, po e anashkalon edhe memorandumin me Ambasadën e Britanisë së Madhe, që ka të bëjë me rekrutimin e pozitave të larta drejtuese dhe agjencive të pavarura.

Postimi i plotë i deputetit të PDK’së:

Vendimi i Komisionit Parlamentar për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i datës 20.04.2021, për hapjen e konkursit për përzgjedhjen e Komisionerit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi është i kundërligjshëm pasi tërë komisionin parlamentar e shndërron në panel vlerësues, respektivisht komision përzgjedhës.

Ky vendim paraqet shkelje të praktikës së deritanishme parlamentare, anashkalon memorandumin e bashkëpunimit që Kuvendi i Republikës ka bërë me Ambasadën Britanike dhe shpreh qëllimin e partisë në pushtet për të vendosur njeriun e tyre në këtë agjencion të pavarur.

Një praktikë e tillë e cila po tentohet të instalohet nga partia në pushtet është e rrezikshme për demokracinë tonë, sepse synon që të përmbysë edhe praktikën e deritanishme parlamentare me qëllim të mbivotimit në secilin proces përzgjedhës nëpër komisione.

Një gjë e tillë është e papranueshme sepse Agjencitë e Pavarura, sipas Kushtetutës, Ligjit Nr.06/L- 113 për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore dhe të Agjencive të Pavarura dhe Ligjit Nr.06/L- 082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, janë autoritete të pavarura.

Qëllimi i partisë në pushtet është që duke qenë shumicë në komision, të ndikojë në vlerësimin e kandidatëve në mënyrë selektive e politike dhe asesi profesionale.

Ky vendim sfidon shumë seriozisht vlerat kushtetuese të Republikës, të garantuara me Kushtetutën e vendit dhe Konventën Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut dhe Protokollet e saj, e cila është instrument ndërkombëtar i cili aplikohet drejtëpërdrejtë në sistemin tonë juridik.

Procedura e përzgjedhjes së Komisionerit për Informim dhe Privatësi, përcaktohet sipas Ligjit Nr. 06/ L- 082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, neni 60, paragrafi 4, që thotë se: “Pas skadimit të afatit të paraparë në paragrafin 3 të këtij neni (i cili flet për afatet), paneli përzgjedhës, i caktuar nga komisioni parlamentar për siguri i Kuvendit të Republikës së Kosovës, brenda afatit prej pesëmbëdhjetë (15) ditësh, vlerëson nëse kandidatët i plotësojnë kushtet për t’u zgjedhur komisioner”.

Pra, ky paragraf flet për një panel përzgjedhës i cili caktohet nga komisioni parlamentar. Prandaj, ajo çfarë ka vendosur Komisoni Parlamentar për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes në mbledhjen e datës 20.04.2021, është në kundërshtim me këtë ligj.

Nuk mundet dhe nuk ka asnjë logjikë juridike që i njëjti organ i cili është kompetent për të emëruar një panel përzgjedhës për përzgjedhjen e kandidatëve, të kryejë edhe rolin e panelit.Në terma tjerë, i bie që komisioni ka emëruar vetëveten!

Këtë interpretim e fuqizon edhe paragrafi 6 i këtij ligji, sipas së cilit thuhet se: ”Paneli përzgjedhës, listën e kandidatëve ia dorëzon komisionit, i cili, listën e ngushtë ia propozon Kuvendit të Kosovës”.

Pra, paneli përzgjedhës, i caktuar nga komisioni parlamentar, ia dorëzon këtij të fundit listën e kandidatëve.

Ky vendim njëkohësisht është edhe në kundërshtim me praktikën parlamentare të Kuvendit të Republikës dhe Komisionit për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes. Në asnjë rast, ky komision nuk ka caktuar tërë anëtarët e tij si panel përzgjedhës për intervistimin dhe vlerësimin e kandidatëve.

Në të tri herat kur është tentuar zgjedhja e komisionerit, paneli ka qenë i përbërë nga një përfaqësues i grupeve parlamentare në komision. Jo i gjithë komisioni.

Shqetësim përbën edhe anashkalimi i Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Ambasadës Britanike në Kosovë, i nënshkruar më 02.07.2020, me qëllim të përfshirjes së Ambasadës Britanike në procesin e rekrutimit të pozitave të larta drejtuese dhe agjencive të pavarura, në të cilat bën pjesë edhe Agjencia për Informim dhe Privatësi.

Sipas këtij memorandumi, Kuvendi i Kosovës zotohet që të zbatojë rekomandimet e partnerit zbatues (Ambasadës Britanike). Gjithashtu ky memorandum parasheh që paneli përzgjedhës të reflektojë diversitetin gjinor dhe të ketë monitorim të procesit nga OJQ – të.

Rëndësinë e përfshirjes së Ambasadës Britanike në këtë proces e vë në pah edhe shoqëria civile, duke e cilësuar përfshirjen e tyre si shumë të rëndësishme.

Raporti i Lëvizjes Fol “Dështimet e Kuvendit të Republikës në Funksionalizimin e Agjencisë për Infromim dhe Privatësi”, i nëntorit të vitit të kaluar, ndër të tjera thekson se “ekspertët e angazhuar nga Ambasada Britanike kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm dhe tejet profesional në tërë procesin e vlerësimit të kandidatëve për komisioner.

Ky kontribut është shprehur në veçanti në parapërgatitjet e mbajtura për panelin përzgjedhës nga ekspertët britanikë para çdo interviste, ndërkaq secili prej kandidatëve, njëkohësisht është vlerësuar nga paneli përzgjedhës në njërën anë, dhe nga ekspertët britanikë në anën tjetër”.

Shkelja e këtij memorandumi dhe këtij zotimi nga ana e Kuvendit të Republikës së Kosovës, tregon për ‘turrin’ e partisë në pushtet për të kapur një institucion aq të rëndësishëm për sigurinë juridike të qytetarëve të Kosovës, siç është Agjencia për Informim dhe Privatësi.

Prandaj, procesi i përzgjedhjes së Komisionerit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi është komprometuar që në fillim.

Shpërndaje në: