Reçica kërkon unifikim të ish opozitës: Duhet ta largojmë Kurtin nga vendimmarrja në këtë shtet

Reçica kërkon unifikim të ish opozitës: Duhet ta largojmë Kurtin nga vendimmarrja në këtë shtet

Partitë që deri tani ishin në opozitë, në sallën pas dështimit të seancës konstituive në përpjekjen e 52-të, kanë akuzuar kryeministrin në detyrë, njëherësh kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, se po “shkatërron shtetin e Kosovës”.

Madje u kërkua edhe unifikim i PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, siç u tha, “për ta ndalë Kurtin dhe për ruajtjen e Kosovës”, raport KSVP, transmeton Periskopi.

Deputeti i PDK-së, Elmi Reçica, tha se duhet angazhim dhe unifikim i partive politike, siç tha, që Albin Kurti dhe ata “që i shkojnë prapa të lihen jashtë vendimmarrjes politike”. Ai tha se partitë që deri tani kanë qenë në opozitë duhet t’i besojnë më shumë njëra-tjetrës për ta arritur këtë qëllim.

“Ne duhet të angazhohemi bashkërisht, ne që e kemi një ndjenjë për këtë shtet, ne që kemi dhënë secili në forma të ndryshme për këtë shtet, që të bëhemi bashkë. Një njeri që është i dëmshëm për këtë vend, në këtë rast Albin Kurti dhe ndaj të gjithëve atyre që i shkojnë prapa, që të jenë jashtë vendimmarrjes në këtë parlament dhe këtë vend. Ne duhet t’i besojmë më shumë njëri-tjetrit dhe është në interesin e të gjithëve që ta ruajmë këtë shtet,” tha ai.
Ndërkaq, deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri, akuzoi LVV-në se po keqpërdor kryesuesin e seancës, Avni Dehari, për ta mbajtur peng konstituimin e Kuvendit.

Ai tha se LVV-ja duhet të punojë më shumë në zhvillimin e demokracisë përmes unitetit plural.

“Nuk është privilegj me qenë i vjetër për ta kryesuar Kuvendin dhe për me mbajt peng atë, por është privilegj me qenë më e reja dhe me mbajt rendin. Jemi mbet me u sjellë si kujdestarë të Republikës, qëndrimi për të mbrojt këtë Republikë nuk do të thotë që na pamundëson humbjen e qëllimit tonë. LDK ka vazhduar ta ndërtojë vlerën e shtetit në parimin e bashkimit në dallime, dallime politike dhe qëllimi i përbashkët nuk duhet të na largojë as ne as të tjerët nga realizimi i këtij qëllimi. Lideri i kësaj Republike, Ibrahim Rugova, e ka përmend zhvillimin e demokracisë përmes unitetit plural. Sot jemi këtu për të dëshmuar se këtu është bërë, këtu është ndërtuar dhe ruhet në çdo cep të Kosovës,” theksoi Haziri.
Më e ashpër në akuza ndaj Kurtit u shpreh deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj.

“Është e turpshme që 26 vjet pas lirisë, një njeri me kapriço të tentojë të shkatërrojë shtetin dhe pavarësinë e Kosovës. Po luan me identitetin kombëtar të Kosovës. A thua si ndihen familjet e dëshmorëve? Për çka kanë rënë Adem Jashari? Luan dhe Shkëlzen Haradinaj? Agim Ramadani? Çka mendojnë ata sot kur gjaku i tyre po përdhoset nga një parti politike që po e shantazhon shtetin. Ata janë shantazhuesit e vetëm,” theksoi ajo.

Kuvendi i Kosovës ka dështuar në seancën konstituive edhe në tentimin e 52-të që u mbajtë sot.

Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari ftoi sërish partitë e ish opozitës për të propozuar kandidatë për formimin e komisionit të votimit të fshehtë për kryeparlamentar. Seanca e radhës është caktuar për nesër në ora 14:00.

Shpërndaje në: