Richad Holbrooke, njeriu tepër mizor dhe tepër idealist

Richad Holbrooke, njeriu tepër mizor dhe tepër idealist

Më 6 korrik 1939, disa muaj pas shpërthimit të Luftës së II Botërore, një emigrant hebre polak me emrin Abraham Dan Golbraich shkoi para gjykatës dhe e ndryshoi emrin e tij në Dan A. Holbrooke. Ai do të bëhej baba i Richard Holbrooke-ut, diplomati që me talentin e tij të egër i dha fund luftës evropiane dhe rrëfimi jetësor i të cilit është thënë tashmë në librin e mahnitshëm të George Packerit, “Njeriu ynë.” Për rikrijimin konstant amerikan të Golbraichit, Packeri shkruan: “Çfarë vendi i madh!”

Richard Holbrooke-u e besonte këtë gjë në thelbin e saj. Amerika mund të riformësonte, falte e shpëtonte, ashtu siç kishte bërë me familjen e tij. Bindja e tij e çoi në një betejë të gjatë për të shpërndarë paqe në skutat më të largëta të tokës. “Amerika është gjithnjë më e mira,” shkruante Holbrooke në një gazetë, “kur iu përmbahet vlerave dhe idealeve të saj,” që çoheshin përpara përmes “një artikulimi të qëndrueshëm dhe presionit të shkathtë.” Harku 48 vjeçar i përvojës së tij nga Vietnami në Afganistani ekspozoi dështimet e Amerikës por kurrë s’e prishi këtë thelb patriotik. Packer shkruan: “Vuajtja njerëzore nuk e rrasi në një paralizë psikologjike apo në një dëshpërim filozofik. E nxiti drejt veprimeve edhe më të furishme.”

Si një korrespondent i New York Times që po mbuloja luftën e Bosnjes më 1995, e pashë vorbullën e Holbrooke-ut nga afër. Çdo gazetar në Sarajevë e dinte se, me 100 mijë njerëz tashmë të vrarë në më shumë se tri vjet luftime, lufta nuk mund të ndalej. Ai e ndali.

Teatri i bullizmit ishte në kulm por, si gjithnjë me Holbrooke-un, spektakli ishte po ashtu qëllim. 100 mijë njerëz të tjerë në Ballkan mund të jenë gjallë sot për shkak të tij. Kurrë nuk do ta harrojë atë gjë. Holbrooke e meritoi Çmimin Nobel për Paqe. Barack Obama do ta fitonte më vonë një çmim të tillë thjesht sepse ekzistonte. Askush kurrë s’e ka thënë që jeta është e drejtë.

Nga çfarë procesesh të çuditshme kjo arritje e Holbrooke-ut është nënvleftësuar – një recension i librit të Packerit në The New Republic flet për ‘legjendën liberale’ se si “ai e zgjidhi gjë-e-gjëzën e Gadishullit Ballkanik” – është një rebus që flet shumë për kohën tonë. Kjo është një kohë e cinizimit, shpresës së kufizuar, pozave të pavlera, në të cilat përqeshet intervencionizmi amerikan.

Holbrooke, i rritur në optizmizmin e pasluftës [së II Botërore] në apogjeun e fuqisë amerikane, e perceptonte botën ndryshe. Optizmizmi u shpërnda edhe në gjeneratën time. E pamë Murin e Berlinit të binte në mesin e jetës sonë dhe e pamë e kuptuam me siguri të plotë se si vlerat amerikane, vendosmërisht të mbrojtura, i çonin përpara të drejtat, e rreth 100 milionë njerëzve në Evropën Qendrore.

Kjo nuk ishte një legjendë liberale. Ishte një bindje liberale e bazuar në përvojën e formësimit të qëndrueshëm që po bënte Amerika për një botë më stabile. Bombardimet e NATO-s që çuan në paqen në Bosnjë ishin të suksesshme. Shpëtuan mijëra jetë njerëzish; po ashtu e shpëtuan njerëzimin në kuptimin që ishte një përgjigjje e vonshme ndaj kampeve të përqendrimit që i kishin ndërtuar serbët për boshnjakët myslimanë – një terror i kapur nga Holbrooke-u kur kishte takuar të mbijetuarit e asaj gjëme më 1992. Holbrooke-u gjithnjë donte t’i shihte gjërat me sytë e tij, që përbën po ashtu një virtyt të dukshëm.

Thelbi moral i intervencionizmit është i koklavituar nga ideja, tash e atrofizuar, e një bote të përmirësuar në të cilën të drejta të caktuara e të patjetërsueshme ekzistojnë dhe në të cilën forma të caktuara të së keqes duhet të konfrontohen. Kjo është ideja amerikane. Lufta në Irak e tregoi gabueshmërinë e saj por jo pavlefëshmërinë. Holbrooke, siç shkruan Packer, “besonte që pushteti sillte përgjegjësi, dhe nëse do të dështonim të përballeshim me të keqen, vuajtja e botës vetëm do të rritej.”

Holbrooke mund të ishte një gomar pompoz, vetjak, i pamëshirshëm e belaxhi. Ai ishte përplasur me një çift të moshuar, të mbijetuar të Holokaustit, në mënyrë që të zinte vend për vete. Ai kishte fjetur me gruan e shokut të tij më të ngushtë. Ai ishte i pakonsideratë për kolegët e tij. Ai ishte baba që i mungonte familjes – “Babain kurrë s’e kishim,” thoshte djali i tij më i vogël, Anthony – dhe një burrë i “mizorive të gjithandejme.” Ia prezantova atë ish gruas sime shtatë herë; ajo s’kishte kurrfarë rëndësie për të dhe kësisoj ishte e padukshme. Ai donte të bëhej sekretar shteti, dhe kështu krijoi armiq të shumtë që do t’ia sakatonin ambicien.

Libri i Packerit e bën të qartë se sa shumë prej furisë së subjektit të tij ishte balansuese, një pajisje maskuese. Edhe pse rrëfimi i familjes së tij e frymëzoi, Holbrooke harxhoi energji të pamatë psikologjike që ta shtypte të kaluarën. Ai e fshehu babain e tij,  i cili kishte vdekur i ri, dhe e vuajti shakanë se thashethemet që ai ishte gjysmë-hebre ishin vetëm gjysmë-të-vërteta.

“Ai nuk ishte djali i askujt dhe i askundit – ai i takonte vetes, ai i takonte Amerikës,” shkruan Packer. Holbrooke e shmangu diplomacinë në çështjen izraelito-palestineze sepse ishte një fushë e minuar që do t’i kërkonte të bënte reflektim personal. Rezultati është paradoks: një njeri i pasionuar për vokacionin e Amerikës për t’i shpëtuar të tjerët, po e varroste Golbraichin gjysmë-hebre gjysmë-polak, babain e tij, brenda vetes.

Kjo ishte e lodhshme. Ka një farë patosi në fjalët e Holbrooke-ut ndaj Diane Sawyerit, të dashurës së tij për kohë të gjatë, mes tri martesave që kishte pasur: “Më duhet të luftojë tepër shumë për gjithçka që kam, sepse për disa arsye, njerëzve nuk iu pëlqej.” Për disa arsye? Holbrooke kurrë s’e konsideroi atë pyetje të vlefshme për t’u hetuar. Kështu që u largua nga serioziteti i lartë dhe idealizmi i diplomacisë së tij te lakuriqësia vetë-shkatërruese e ambicies së tij.

“Provo të ndash më të mirën nga më e keqja – nuk mundesh,” shkruan Packer. Holbrooke, kaq i ndarë mes të dyjave, na del si “gati i madhërishëm.”

Ka edhe një pikëpamje të papëlqyer në kohën e sigurive vikatëse. Nocioni se njerëzit përmbajnë multituda brenda vetes, e jo të gjitha të bukura; ajo natyrë njerëzore po ndryshon; që diplomati më i talentuar amerikan i shekullit 20 mund të ishte edhe një burrë i keq, edhe nganjëherë budalla [apo që, për shembull, një mbështetës i Trumpit mund të jetë një njeri i mirë e i mençur amerikan], nuk përshtatet me luftimet tribale aktuale.

Nuanca është aq e zbehtë. Holbrooke ishte amerikani i parë që zyrtarisht e denoncoi Khmerin e Kuq, një qëndrim i dukshëm moral. Ai përfundon duke rekomanduar që ulësja e Kamboxhas në OKB t’i shkonte faksionit të Pol Potit sepse interesi nacional i Amerikës e kërkonte. Të jesh diplomat nënkupton të kapërdish gjëra të forta dhe të pranosh rezultate të tmerrshme të cilat megjithatë janë më të mira se alternativat e tyre. Në këtë rast, mendoi se ai kapërdiu si tepër shumë.

Siç ka thënë këshilltari i lartë për siguri kombëtare i Bill Clintonit, Tony Lake, “Ajo për çka Holbrooke kërkon vëmendja është ajo se çka po bën, jo ajo se çka është ai. Ka vërtetë cilësi tepër të lartë dhe ai e ka një hir shpëtues.”

Lake dhe Holbrooke kishin shkuar në Vietnam në vitet ’60 si “të pafahshëm.” Zyrtarë të shërbimeve të huaja që donin të bënin dallimin. Zhgënjimi pason. Holbrooke-u e sheh se Amerika nuk po e lufton komunizmin por betejën vjetnameze për çlirim kombëtar – një luftë e pamundshme. Ai sheh se, “Raportimet gënjejnë, ato gënjejnë.” Ai sheh “gra që qajnë mbi trupat e copëtuar të burrave të tyre,” dhe kurrë s’do ta harronte atë imazh. Si Lake-u, ai mban “stigmën e të qenit prezent në luftën e parë të humbur të amerikanëve,” dhe si Lake-u, ai ka yshtjen për t’u justifikuar gjatë gjithë jetës.

Nuk janë veç boshnjakët që u shpëtuan nga obsesionet e Holbrooke-ut. Duhet t’i shtosh edhe qindra-mijëra indikinezë që u pranuan si refugjatë në Shtetet e Bashkuara më 1982 pjesërisht për shkak të thirrjes së tij; miliona viktima afrikane të AIDS-it që u ndihmuan nga përpjekjet e tij të pareshtura; njerëzit e Timorit Lindor; gazetarin David Rohde, i liruar nga serbët më 1995 për shkak se Holbrooke kishte ngulmuar. Sllobodan Millosheviq, diktatori serb, i mahnitur do t’i thoshte: “Ju e bëtë gjithë këtë për një gazetar?” Po, Holbrooke-u do ta bënte.

Nga të gjitha këto, Obama dhe njerëzit e tij dinin pak dhe as që iu hante palla. Holbrooke-u i trembte; ai çante për Vietnamin. Jake Sullivan, një zyrtar i lartë i asaj administrate, ishte admirues i Holbrooke-ut por edhe ai e pa atë si “një diplomat nga një shtet i huaj – i së kaluarës.”

Si i dërguar i Obamas në Pakistan dhe Afghanistan, punë që e mbajti deri në ditën e vdekjes më 2010, Holbrooke u turpërua vazhdimisht. Presidenti kishte shkuar në Kabul pa të. Në Departamentin e Shtetit, ku zyrtarët e lartë punojnë në katet më të larta, atij iu dha një zyre e vogël në katin e parë. Në një pikë, ai e definoi qëllimin e tij si “të provonte ta bënte ushtrinë pakistaneze më pak mashtruese ndaj Shteteve të Bashkuara.”

Miqtë i thonin vazhdimisht që të largohej, ta linte atë punë. Ai ishte me qëllim qorr ndaj tyre. Ngulmonte se ende mund ta bënte dallimin, se Obama do të zbutej; ndoshta do ta kuptonte se ëndrra e tij për negociata me Talibanët e ndyrë s’mund të realizohej [për të cilën pati të drejtë, si zakonisht]; dhe ndoshta, disi, në një formë të paimagjinueshme, ai do të bëhej sekretar i shtetit. I kishte 69 vjet kur vdiq.

Holbrooke-u e pati një vdekje të vetmuar – i braktisur nga presidenti i tij, i tejkaluar nga koha, në kohën kur martesa me shkrimtaren Kati Marton ishte në gjendje të keqe. Si për ekstrem, doktori i kishte thënë të relaksohej. “Nuk mund të relaksohem. E kam për detyrë të merrem me Afghanistanin dhe Pakistanin,” kishte thënë ai para se të shkonte të operohej për të mos u zgjuar kurrë. Derisa po e lexoja gjithë këtë, unë qava.

Marton bëri gjë të jashtëzakonshme duke i dhënë Packerit një korrespondencë intime dhe letra të tjera që e bënë këtë kryevepër të mundshme. Nuk dënesa vetëm për një shok por po ashtu për Amerikën e shpresës dhe ambiciues së lartë që e mishëronte Holbrooke-u.

Çfarë kombi i madh! Po, Amerika është, dhe do të jetë sërish kur të kalojë ky makth, dhe siç do të duhej nëse amerikanët do ta kishin vetëm gjysmën e mprehtësisë kryeneçe dhe idealizmit pasionant të Richard Holbrooke-ut. /New York Times /Periskopi

Shpërndaje në: