Rrahman Jasharaj: Mësimdhënësit me sëmundje të rënda të lirohen nga mësimi, por të paguhen

Periskopi.com Lajme

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës ka uruar punëtorët e arsimit me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor.

Nga kjo sindikatë kanë falënderuar mësimdhënësit që janë vaksinuar kundër COVID-19 derisa kanë thënë se do të jetë rrugëtim i vështirë në përpjekje për realizimin e edukimit të brezave.

Me këtë rast SBASHK’u ka kërkuar që të bëhet zgjidhje për punëtorët e arsimit me sëmundje të rënda që ata të marrin paga e të lirohen nga procesi mësimor.

Njoftimi i plotë:

Edhe sot kur po nisim me betejën për dituri të reja, kujtojmë për të satën  herë MASHTI-n dhe Qeverinë e Kosovës se është obligim i tyre moral e njerëzor që të bëjnë zgjidhje konkrete veçmas për punëtorët e arsimit me sëmundje të rënda.

Të nderuar punëtorë të arsimit, kolege e kolegë, anëtarë të SBASHK-ut, urime fillimi i vitit të ri shkollor. Do jetë një rrugëtim i vështirë ky në përpjekjet për realizimin  e misionit tonë të shenjtë për arsimimin  dhe edukimin e brezave, por ne edhe në të kaluarën jemi përballur me sfida dhe falë përkushtimit e gatishmërisë për sakrifica  tona sublime kemi bërë që drita të triumfojë dhe ta mund errësirën.

Ju falënderojmë që dëgjuat apelin e SBASHK-ut  dhe u vaksinuat, ju përgëzojmë për gatishmërinë e treguar edhe para 1 shatorit për të nisur me vitin e ri shkollor dhe ju premtojmë se do të vazhdojmë të jemi zëri juaj, do të angazhohemi në shërbimin tuaj  dhe do të bëjmë gjithë angazhimet për realizimin e kërkesave tuaja legjitime.

Edhe sot kur po nisim me betejën për dituri të reja, kujtojmë për të satën herë MASHTI-n dhe Qeverinë e Kosovës se është obligim i tyre moral e njerëzor që të bëjnë zgjidhje konkrete veçmas për punëtorët e arsimit me sëmundje të rënda  në mënyrë që ata të marrin paga e të jenë të liruar nga procesi mësimor deri në një zgjidhje afatgjatë për ta.  Këta punëtorë arsimorë me vite e dekada janë angazhuar aq sa kanë mundur e kanë ditur në arsimimin e brezave, por sëmundja e ka bërë të vetën dhe ata, edhe pse duan, nuk mund të jenë në krye të detyrës. Ata meritojnë zgjidhje të pranueshme dhe prandaj SBASHK-u apelon te MASHTI dhe Qeveria që ta bëjnë një zgjidhje të tillë.

Suksese në vitin e ri shkollor.  Sot e gjithmonë bashkë e në SBASHK.