Rrëfehet vajza nga Irani që iu desh certifikatë e virgjërisë: Asnjëherë nuk do t’i harroj ato ditë të zeza

Periskopi.com Lajme

Në Iran, virgjëria para martesës është e rëndësishme për shumë vajza dhe familjet e tyre. Nganjëherë burrat kërkojnë një certifikatë virgjërie – një praktikë për të cilën Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se është kundër të drejtave të njeriut. Që nga viti i kaluar gjithnjë e më shumë njerëz kanë bërë fushatë kundër saj.

“Më mashtrove për t’u martuar me ty sepse ti nuk je e virgjër. Askush nuk do të martohej me ty nëse do ta dinte të vërtetën”.

Kjo është ajo që i tha bashkëshorti i Maryamit asaj pasi patën marrëdhënien e parë seksuale.

Ajo u mundua ta bindte atë se edhe pse nuk kishte gjakderdhje ajo nuk kishte kryer marrëdhënie kurrë më parë. Por, ai nuk e besoi atë dhe i kërkoi të merrte një certifikatë të virgjërisë.

Kjo nuk është e pazakontë në Iran. Pas fejesës, shumë gra shkojnë te mjeku dhe bëjnë një test që vërteton se ato nuk kanë pasur asnjëherë marrëdhënie seksuale.

Megjithatë, sipas OBSH-së, testimi i virgjërisë nuk ka merita shkencore.

Certifikata e Maryamit thoshte se lloji i himenit të saj ishte “elastik”. Kjo nënkupton se ajo mund të mos ketë gjakderdhje pas marrëdhënies seksuale.

“Ma preku krenarinë. Nuk kisha bërë asgjë gabim, por bashkëshorti im vazhdonte të më fyente. Nuk mund ta duroja më, kështu që mora disa pilula dhe tentova ta vrisja veten”, tha ajo.

Në kohë ishte dërguar në spital dhe mbijetoi.

“Asnjëherë nuk do t’i harroj ato ditë të zeza. Humba 20kg gjatë asaj kohe”.

Thirrjet në rritje për t’i dhënë fund praktikës

Ngjarja e Maryamit është realiteti i shumë grave në Iran. Të qenit e virgjër para martesës është ende thelbësore për shumë vajza dhe familjet e tyre. Është një vlerë që është rrënjosur thellë në konservatorizmin kulturor.

Por, vonë gjërat kanë filluar të ndryshojnë. Gratë dhe burrat rreth vendit kanë filluar fushatë për t’i dhënë fund testit të virgjërisë.

Nëntorin e kaluar, një peticion në internet mblodhi gati 25,000 nënshkrime për një muaj. Kjo ishte hera e parë që testimi i virgjërisë po sfidohej hapur nga aq shumë njerëz në Iran.

“Është shkelje e privatësisë, dhe është poshtëruese”, tha Neda.

Kur ajo ishte 17 vjeç, studente në Teheran, ajo humbi virgjërinë me të dashurin e saj.

“Më kapi paniku. Isha e tmerruar se çfarë do të ndodhte nëse familja ime e zbulonte”.

Kështu që Neda vendosi ta riparonte himenin e saj.

Teknikisht, kjo procedurë nuk është e paligjshme – por ka implikime të rrezikshme shoqërore, kështu që asnjë spital nuk pajtohet ta kryejë.

Neda e gjeti një klinikë private që do ta kryente atë në fshehtësi – për një çmim të majmë.

“Shpenzova të gjitha kursimet e mija. Shita lap-topin tim, telefonin dhe stolitë prej ari”, tha ajo.

Asaj iu deshtë të nënshkruante një dokument për të marrë përgjegjësi të plotë në rast se diçka shkonte keq.

Më pas, një mami e vazhdoi procedurën. Mori rreth 40 minuta kohë.

Por, Nedas iu deshtë kohë që të shërohej.

“Isha në dhimbje të mëdha. Nuk mund të lëvizja këmbët”, kujtoi ajo.

Ajo e fshehu të gjithën nga prindërit.

“U ndjeva e vetme. Por, mendoj se frika se ata mund ta zbulonin më ndihmoi ta toleroja dhimbjen”.

Në fund, sprova që kaloi Neda ishte e kotë.

Një vit më pas, ajo takoi dikë që donte të martohej me të. Por, kur ata patën marrëdhënie seksuale, ajo nuk pati gjakderdhje. Procedura kishte dështuar.

“I dashuri im më akuzoi se tentova ta mashtroja për t’u martuar. Ai tha se isha gënjeshtare dhe më la”.

Presioni nga familja

Pavarësisht deklaratës së OBSH-së për testin e virgjërisë si joetik dhe pa merita shkencore, praktika vazhdon ende në disa shtete, përfshirë Indonezinë, Irakun dhe Turqinë.

Organizata Mjekësore Iraniane pohon se kryen testin e virgjërisë vetëm në rrethana specifike – si në raste të gjykatave dhe akuzave për përdhunim.

Megjithëse, kërkesat më të shpeshta për testin ende vijnë nga çiftet që planifikojnë të martohen. Kështu që kthehen në klinikat private – shpesh të shoqëruara nga nënat e tyre.

Një gjinekolog apo një mami do ta kryejë testin dhe e lëshon certifikatën. Kjo përfshinë emrin e plotë të gruas, emrin e babait, numrin identifikues dhe disa herë edhe fotografinë. Përshkruan gjendjen e himenit të saj dhe deklaratën: “Kjo vajzë duket të jetë e virgjër”.

Në familjet më konservatore, dokumenti do të nënshkruhet nga dy dëshmitarë – zakonisht nga nënat.

Mjekja Fariba ka lëshuar certifikata për vite. Ajo pranon se është një praktikë poshtëruese, por beson se ajo po i ndihmon shumë gra.

“Ato janë nën presion nga familjet e tyre. Nganjëherë gënjej për çiftin. Nëse ata kanë fjetur bashkë dhe duan të martohen, them para familjeve se vajza është e virgjër”.

Por, për shumë burra, martesa me një të virgjër është ende thelbësore.

“Nëse një vajzë humb virgjërinë para martesës, ajo nuk mund të jetë e besueshme. Ajo mund ta lë bashkëshortin për një tjetër burrë”, tha Ali, një elektricist 34-vjeçar nga Shirazi.

Ai thotë se ka pasur marrëdhënie seksuale me 10 gra. “Nuk mund të rezistoja”, tha ai.

Aliu pranon se ka një standard të dyfishtë në shoqërinë iraniane, por thotë se nuk sheh arsye për t’u shkëputur nga tradita.

“Normat shoqërore e pranojnë se burrat kanë më shumë liri se gratë”.

Pikëpamja e Aliut është e njëjtë edhe në mesin e shumë njerëzve të tjerë, veçanërisht në zonat më rurale e konservatore të Iranit.

Pavarësisht nga demonstratat në rritje kundër testit të virgjërisë, duke qenë se kjo pikëpamje është kaq e rrënjosur në kulturën iraniane, shumë besojnë se një ndalim total i praktikës nga qeveria dhe ligjvënësit nuk duket i mundshëm në një të afërme.

Shpresë në të ardhmen

Katër vjet pasi tentoi vetëvrasjen dhe jetesa me një bashkëshort abuziv, Maryam më në fund mundi të divorcohet përmes gjykatës.

“Do të jetë shumë e vështirë t’i besoj një burri sërish”, tha ajo. “Nuk mund ta lë veten të martohem në të ardhmen e afërt”.

Bashkë me dhjetëra mijëra gra të tjera, edhe ajo nënshkroi një nga peticionet online për t’i dhënë fund lëshimit të certifikatave të virgjërisë.

Edhe pse ajo nuk pret që diçka të ndryshojë së shpejti, ndoshta as sa të jetë gjallë, ajo beson se një ditë gratë do të kenë më shumë barazi brenda shtetit.