“Rreth 30% më pak turistë në Shqipëri, ndikim kryesor ulja e vizitorëve nga Kosova”

“Rreth 30% më pak turistë në Shqipëri, ndikim kryesor ulja e vizitorëve nga Kosova”

Kosova është shtylla e sektorit turistik në vend, duke i garantuar bregdetit shqiptar mundësinë e një turizmi gjithëvjetor, përpos sfidave dhe kostove që hasin strukturat jashtë sezonit.

Ky dimër, sipas Fatos Çerenishtit, administrator i FAFA Group, ka pasur rënie të turistëve në struktura.

Ndikimin kryesor, sipas tij, e ka dhënë ulja e vizitorëve nga Kosova.

Arsyet pse ka ndodhur kjo, sipas tij, lidhen me kushtet më të vështira ekonomike që solli kriza por edhe me situatën e përgjithshme politike. Ai vëren se edhe net-qëndrimet janë shkurtuar.

Si ka qenë ecuria e turizmit për Golemin e Durrësin në përgjithësi duke qenë se vizitohen edhe në dimër?

Dimri ka pasur turistë, por nga ajo që konstatoj ka rënie me 20-30% në raport me vitet e tjera. Mendoj se këtu ka pasur ndikim rënia e numrit të turistëve nga Kosova.

Arsyet që kanë sjellë këtë tkurrje mendoj se lidhen me një situatë më të dobët ekonomike, për shkak të krizës së çmimeve me të cilën jemi përballur të gjithë, biznese e individë, por ndoshta ka ndikuar disi dhe situata politike.

Është jo shumë e ngrohtë si situatë dhe luhatjet rrisin pasigurinë, duke i bërë njerëzit më të kujdesshëm.

Prania më e lartë e turistëve nga Kosova ka qenë gjatë festave të nëntorit dhe pas kësaj, frekuentimi ka qenë i tkurrur.

Përgjithësisht si ka qenë okupanca apo rezervimi i dhomave në strukturën tuaj?

Po ne jemi strukturë e madhe, me kapacitet akomodimi 1800 shtretër në 800 dhoma, por sigurisht gjatë dimrit nuk operojmë në gjithë këtë kapacitet.

Në strukturat që kemi aktive, fundjavat kanë pasur një rezervim dhomash prej 30% të tyre.

Ajo që vë re është se ka ndryshuar disi tendenca e qëndrimit. Edhe ata që vijnë nuk qëndrojnë përgjithësisht dy net, por një pjesë e mirë vetëm një natë.

Si ka qenë ecuria e kostove dhe shpenzimeve për strukturat dhe a mundet ta përballojnë funksionimin edhe  dimër?

Ka një të vërtetë për sektorin tonë, hotelet e bregdetit fitojnë vetëm kur mbyllen. Si ta kuptojmë këtë?

Nëse e lë hapur jashtë sezonit, shpenzimet do të jenë më të mëdha sesa të ardhurat dhe normalisht detyrohesh që të mbijetosh me atë pak fitim që ke gjatë muajve më aktivë, ata të verës.

Ne e marrim parasysh këtë rrezik që të punojmë 4-5 muaj dhe të mbijetojmë pastaj në ata 7-8 muaj që mbeten, sepse rrezikojmë aspekte të tjera.

Unë për shembull kam 160-170 të punësuar, të cilët nuk mund t’i lë pa paga, sepse do të më largohen. Punonjësit janë një aset që s’mund ta humbas.

Në këto kushte e shohim më të arsyeshme të ulim fitimin. Presioni i kostove ka qenë i lartë se në të njëjtën kohë janë rritur energjia, produkte të tjera të nevojshme për akomodimin dhe po kështu, jemi detyruar të rrisim edhe pagat vazhdimisht.

Në dimër është e pamundur që gjithë këto kosto që një strukturë ka në 20-30 ditë t’i mbulosh me katër fundjava punë.

Nordikët ishin një grup që për vitin 2023 kaluan allotment”, pra do paguajnë aq sa turistë do të sjellin, por nga pala shqiptare do të negociohej për të kaluar në garanci siç ishin. A u arrit ndonjë marrëveshje?

Ne kemi kontrata garancie aktualisht me polakët dhe çekët ndërkohë që me nordikët, situata mbetet ashtu siç kemi thënë. Ata kanë kaluar në “allotment” dhe kanë nënvizuar se do të paguajnë vetëm për numrin e turistëve që do të sjellin për akomodim.

Gjithsesi ne jemi të lumtur që ata nuk janë tërhequr përfundimisht nga Shqipëria pasi kjo do të ishte diçka vërtet negative.

Ata janë turistë elitarë, vlerë t’i kesh në grupin e atyre që të vizitojnë, duke ndikuar pozitivisht imazhin si vend.

Aktualisht është duke u punuar  përfundimin e rrugës së Golemit e cila sipas afateve, duhet të ishte mbyllur më herët. Si ndikon kjo situatë në sektorin e turizmit në këtë zonë?

Ne shpresojmë shumë që kjo rrugë të mbarojë brenda majit sepse është një pengesë që nuk ndikon pozitivisht në sektorin dhe vlerësimin që merr në tërësi zona nga agjencitë e huaja.

Pritet të jetë maji por me ritmin që punohet, nuk e di nëse duhet të kemi besim që do mbyllet.

Këto punë të nisura prej vitesh apo problematika të ngritura është e nevojshme të merren seriozisht pasi rrezikojmë të humbasim edhe këta turistë që kemi. Kemi raportuar edhe në Bashkinë e Durrësit lidhur me qentë endacakë dhe na kanë thënë se edhe këtë çështje do ta shohin.

Pati një lloj angazhimi mes palës shqiptare dhe asaj të Kosovës për të kaluar në një marrëdhënie turistike më të konsoliduar përveç ardhjeve individuale, si ka ecur kjo?

Turisti i Kosovës është i pranishëm në vendin tonë dhe specifikisht në Golem dhe Durrës gjatë gjithë vitit dhe është kryesori. Ne sigurisht kemi bërë promovime reciproke, por nuk pretendojmë që të kemi turistë nga Kosova në formën e organizuar, apo me garanci siç kemi grupet e tjera.

Kjo sepse specifikisht, ata janë njëlloj si ne që pushimet i kanë të programuara mes 15 korrikut dhe 31 gushtit, pra 45 ditë. Ne e kemi shumë të ngushtë periudhën e pushimit në zonat bregdetare.

Mbeten grupi më i rëndësishëm dhe kjo u pa gjatë pandemisë.

Ndoshta duhet të rrisim vëmendjen, pasi dhe konkurrenca e destinacioneve është rritur dhe Turqia është një nga ato që mund të bëhet tërheqëse për Kosovën.

Paralelisht duhet të shohim edhe mundësinë e tregjeve të reja dhe turistit elitar që shpenzon, pasi vetëm kështu mund të kemi një sektor të qëndrueshëm dhe fitimprurës për ekonominë. /Monitor.al

Shpërndaje në: