Rrjeti i Grave: Shqetësues dënimi i ultë për dhunimin e 11-vjeçares

Rrjeti i Grave: Shqetësues dënimi i ultë për dhunimin e 11-vjeçares

Rrjeti i Grave të Kosovës (RRGK) ka shprehur shqetësim në lidhje me dënimin, siç e kanë quajtur, të ulët të dhënë nga Gjykata Themelore në Prishtinë për rastin e dhunimit të 11-vjeçares.

Themelorja e Prishtinës të martën i ka dënuar me 62 vjet burgim 6 të akuzuar për dhunimin e 11-vjeçares në Prishtinë, në qershor të 2022-s. Sipas aktgjykimit njëri prej të akuzuarve është dënuar me 12 vjet burgim, ndërkohë që 5 të tjerë me nga 10 vjet.

“Vepra penale për të cilën po akuzohen të pandehurit sipas Kodit Penal të Kosovës, neni 227, paragrafi 7, është e dënueshme me burgim së paku 10 vjet. Në këtë rast, gjykata ka shqiptuar minimumin e dënimit, gjë që e vlerësojmë si skandaloze dhe të papranueshme, veçanërisht kur kemi të bëjmë me një rast i tillë”, thuhet në reagimin e RRGK-së.

Në reagim thuhet se Rrjeti i Grave të Kosovës, shpreh shqetësim të thellë në lidhje me trajtimin e rasteve të dhunimit nga institucionet e drejtësisë.

Sipas tyre është thelbësore që gjykatat të kuptojnë peshën dhe ndikimin e këtyre rasteve në shoqëri dhe të ndërmerren veprime me seriozitet dhe dinjitet në trajtimin e tyre.

“Dënimet minimale që shqiptohen për këto vepra shkaktojnë shqetësim për gratë dhe vajzat në Kosovë pasi ato duket të jenë në favor të autorëve të krimit dhe jo në mbrojtje të viktimave. Kjo situatë i dekurajon viktimat e dhunës për të raportuar rastet e tyre dhe e bën më të vështirë për ta gjetur besimin në sistemin e drejtësisë”, thuhet në reagim.

Statistikat e BQK: Qytetarët morën kredi në vlerë prej 241 milionë euro gjatë marsit, i depozituan rreth 70 milionë

 

Shpërndaje në: