Rutte: Rusia humbi 65 mijë ushtarë në dy muaj

Rutte: Rusia humbi 65 mijë ushtarë në dy muaj

Sekretari i Përgjithshëm i NATO, Mark Rutte, deklaroi se Rusia ka pësuar humbje të rënda gjatë muajve të fundit, duke theksuar se Moska “nuk po e fiton këtë luftë”.

Sipas Rutte, forcat ruse kanë humbur rreth 65 mijë ushtarë vetëm gjatë muajve dhjetor dhe janar.

Ai shtoi se përparimet territoriale në rajonin e Donetsk dhe në zona të tjera janë minimale dhe pothuajse të parëndësishme krahasuar me koston e lartë njerëzore.

“Nëse ka një diktator në Moskë i gatshëm të bëjë këtë, atëherë kemi të bëjmë me dikë që është i gatshëm të sakrifikojë kaq shumë nga njerëzit e tij në këtë luftë. Duhet ta marrim këtë seriozisht, sepse kjo është sjellje e çmendur”, u shpreh ai, raporton Telegrafi, transmeton Periskopi.

Rutte kritikoi gjithashtu vendimin e presidentit rus, Vladimir Putin për të dërguar sërish një historian si përfaqësues në bisedimet e ardhshme në Gjenevë, duke thënë se ai pritet “t’u mbajë leksione ukrainasve për Suedinë apo çfarëdo tjetër”, në vend që të fokusohet në përparim konkret drejt zgjidhjes së konfliktit.

Deklaratat e kreut të NATO-s vijnë në një moment kur luftimet në lindje të Ukrainës mbeten intensive, ndërsa aleanca perëndimore vazhdon të theksojë mbështetjen për Kievin dhe nevojën për presion të shtuar ndaj Moskës. /Periskopi/

Shpërndaje në: