Salih Mustafa sot paraqitet para Gjyqtarit në Hagë: Këtu mund ta ndiqni seancën live

Salih Mustafa sot paraqitet para Gjyqtarit në Hagë: Këtu mund ta ndiqni seancën live

Salih Mustafa i njohur si komandant “Cali”, sot do të paraqitet para Gjykatës Speciale në një seancë e cila pritet të fillojë në orën 15:00. E njëjta, do të jetë publike dhe mund të ndiqet direkt në faqen zyrtare të kësaj gjykate.

Salih Mustafa, ish-pjesëtar i UÇK’së dhe ish-shef i intelegjencës së FSK’së u arrestua më 24 shtator dhe në po të njëjtën ditë, u dërgua në Hagë.

Sipas një njoftimi për media që u bë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, aktakuza e ngarkon Salih Mustafën me përgjegjësi penale individuale për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, që janë krime lufte sipas të drejtës ndërkombëtare.

Ndërkaq sot, komandant “Cali” pritet që për herë të parë të paraqitet para gjyqtarit të procedurës paraprake në Hagë.

Dhomat e Specializuara kanë njoftuar se Mustafa ballafaqimin e parë me Prokurorët e Specializuar do ta ketë në ora 15:00.

Paraqitja e parë e Mustafës do të jetë në seancë publike dhe mund të ndiqet live në faqen e Gjykatës Speciale.

Kujtojmë se menjëherë pas arrestimit të tij, policia e EULEX’it me urdhër të kësaj Gjykate, arrestoi edhe krerët e OVL të UÇK’së, Hysni Gucatin e Nasim Haradinajn.

Të njëjtit, siç u tha u arrestuan pasi publikuan disa prej dosjeve të cilat u erdhën fshehurazi në zyret e tyre, e që në të thuhej se ndodheshin detaje rreth aktakuzave dhe personave të dyshuar nga Specialja.

Kjo ngjalli reagime të shumëta në opinionin publik në Kosovë, ku u tha se Gjykata Speciale po punon kundër Kosovës dhe ushtarëve që luftuan për  UÇK’në.

Shpërndaje në: