Sami Lushtaku n’Periskop: Albin Kurtin do ta padis – le të tregojë në gjykatë pronar i cilit terminal jam

Sami Lushtaku n’Periskop: Albin Kurtin do ta padis – le të tregojë në gjykatë pronar i cilit terminal jam

Një prej figurave kyçe të UÇK-së, ish-kryetar e tani nënkryetar i Skënderajt, z.Sami Lushtaku, në një video-podcast përballë Ilir Mirenës, komenton zhvillimet e fundit – e sidomos videot e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilat e kanë në qendër vetë emrin e zotit Lushtaku. Në to, ai paraqitet si ‘zhvatës, hajn, pronar terminalesh e biznesesh’. Madje, kryeministri Kurti për okolla nënkuptoi se është edhe pronar i kompanisë së sigurimit në QKUK. Për këto dhe tema të tjera si gjendja në PDK – ku edhe është nënkryetar z.Lushtaku, ndiqeni podcastin eksklzuiv të Lushtakut përballë Mirenës.

Në pyetjen e Mirenës, se a mos janë të rënda etiketimet që z.Lushtaku po ia bën kryeministrit Kurti duke ia thënë mbiemrin ‘Kurtoviq’, ai thotë:

“Po e them një thënie të presidenti të Ukrainës. Kurtoviqi fytyren ka me ma pa, po shpinën kurrë, unë jam këtu dhe kam me kanë vazhdimisht.  Kisha mujtë me i thanë edhe Milladin Popoviq, nuk është larg, dmth qaty diku. Mendoj që puna dhe sjellja e këtij kryeministri më jep me kuptu që aty është nuk është larg. Pak ka rëndësi votat që ka marrë ky, ky i ka marrë 51 për qind por nëse i kthehemi zgjedhjeve komunale, ky i fiton vetëm tri komuna. Qytetarët i kanë besu për premtimet dhe rrenat gjatë fushatës, e ky  tash e din saktë që nuk e ka elektoratin, i ka ikë, sepse është një mashtrues, ky vazhdon me mashtru. Unë nuk kam qenë asnjëherë në qeveri, kam qeveris vetëm me Skënderaj dhe puna atje duket. Kështu që, Albini e ka aparatin shtetnor dhe këto akuza që ky i bën, e ka lehtë, e ka pushtetin, le ti heton, na jemi këtu”, thotë Lushtaku për Periskopin.

Për emrin dhe figurën e tij, si personazh në videot e Vetëvendosjes, sidomos këtë të fundit ku z.Lushtaku prezantohet si pronar terminali, ai thotë se do ta padis kryeministrin Kurti dhe drejtësia duhet të veprojë ndaj këtyre siç  thotë Lushtaku – ‘mashtrimeve të Kurtit’.

“Ose unë – ose ai duhet me u përgjigjë thotë Lushtaku”.

“Absolut, unë i njoh të dy pronarët, njani është i Skënderajt tjetri i Kaçanikut dhe s’kam lidhje me terinalet nëse unë rri me ndonjanin prej tyne nuk dmth që jam aksionar, nëse hy e pi kafe në një lokal, nuk domethënë që jam pronar i lokalit. Albini qysh ka propagandu qe 15 vjet, po e vazhdon avazin e vjetër. Ky për me mbulu mospunën e vet, bën këso video. Këso lloj videosh i kam pa në kohën e Millosheviqit. Kur kam qenë i dënumë 20 vjet. M’kanë shoshitë edhe EULEX, UNMIK, për gjithcka. Jam i gatshëm me u përballë me të vërtetën po jo me rrenat e mashtrimet e Albin Kurtit”, thotë Lushtaku.

“Argumente duhet me pasë, fakte duhet me pasë, kur të akuzon dikush për ni terminal ai duhet me pasë argumente dhe fakte. Nuk munet zoti Kurti me lëshu si bombë dicka dhe me u tërheq. Ai kësaj pune duhet me i shku deri në fund.

Mos t’i rren qytetarët më. Duhet me tregu të vërtetën, nëse unë jam pronar i ni biznesi, le të vepron drejtësia. Ja ai duhet me u përgjigjë, ja unë. Njani duhet me u përgjigjë.

Sa i përket aludimit të kryeministrit Kurti, se ‘përgjegjës për djegien e veturës së auditorit të brendshëm të ShSKUK-së janë kompanitë e sigurimeve” dhe me përfundimin se ‘të korruptuarit duhet të jenë në burg’, Lushtaku mohon se është pronar i kompanisë së sigurimeve.

Është djali i vëllait tem që është me një ortak që dihet me emër e mbiemër, nëse ata vërtet janë ra ndesh me përgjegjësitë që kanë, është drejtësia nuk është Albini, nuk është drejtësia vetë Albini e Qeveria. Është Prokuroria që i heton këto, është ligji e jo Albini. Kompania e sigurimeve nuk është e jemja, mund të vërtetohet lehtë, qysh mund të vërtetohet lehtë edhe terminali”, thotë ai.

Lushtaku hedh akuza ndaj kryeministrit Kurti, duke thënë se ‘ky ka dëshirë ta sheh atë (pra Lushtakun) duke e lëshuar Kosovën, por se ‘këtë nuk do ta bëj kurrë’.

“Këtu jam, nuk e kam menden me e lëshu këtuhen Albini s’e ka asnjë vorr këtu: Albini më sheh si armik, qysh m’ka pa edhe Serbia. Unë këtu jam nuk e kam ndërmend me ikë. Albini ka gjasa që e lëshon Kosovën, po unë nuk e kam ndërmend me ikë, unë asniherë, se unë kam edhe fëmijë këtu, nipa e mbesa, e Albini nuk e ka asni vorr këtu, të parëve të tij e mundet me shku edhe në Mal të Zi edhe kah i ka miqtë”, thotë Lushtaku.

I pyetur edhe për tema të tjera, e kryesisht lidhur me atë se si po ecën puna në PDK, ai thotë se i beson lidershipit të Memli Krasniqit.

Ndërkaq, duke komentuar sondazhet e fundit, prej të cilave PDK del në vendin e tretë, Lushtaku thotë se ‘zakonisht sondazhet kështu e qesin këtë parti, por në zgjedhje del më shumë’.

Ai thotë se partia e tij, ‘e ka strukturën më të organizuar në vend’.

“I besojmë fuqishëm liderit tonë politik që e dha një shembull që në zgjedhjet lokale ne dolëm tepër mirë në këto zgjedhje. Zakonisht sondazhet na qesin 2-3 për qind ma pak. Po kur fillon fushata, ne gjithmonë dalim 2-3 deri në 4 për qind ma mirë”, thotë Lushtaku.

Ndërkaq, i pyetur se a do të kandidojë z.Lushtaku për kryetar të PDK-së në zgjedhjet e brendshme të ardhshme të kësaj, partia, ai tha se jo.

“Nuk do të garoj për kryetar të PDK-së, jam anëtar i PDK-së, sa ta kam një frymë në PDK do jem”, tha Lushtaku./Periskopi/

 

Shpërndaje në: