Sarajeva nuk është në dijeni për armët që Serbia tha se u trafikuan nga grupi i Radoiçiqit

Sarajeva nuk është në dijeni për armët që Serbia tha se u trafikuan nga grupi i Radoiçiqit

Ministri i Brendshëm i Federatës së Bosnje dhe Hercegovinës, Ramo Isak, tha se “nuk ka informacion për ndonjë armë në zonën e Tuzllës”, që lidhet me rastin e Milan Radoiçiqit.

E kontaktuar nga REL-i, edhe Zyra e Prokurorit të Kantonit të Tuzllës tha se “nuk ka, as nuk mund të ketë ndonjë informacion” për armët në këtë qytet të Bosnjës.

Radoiçiq, i cili e pranoi përgjegjësinë për organizimin e sulmit në Banjskë, u ndalua të martën nga autoritetet në Beograd.

Prokuroria e Lartë Publike në Beograd tha se e ka marrë në pyetje Radoiçiqin, i cili, ditë më parë, pranoi përgjegjësinë për organizimin e sulmit në Banjskë – fshat në pjesën veriore të Kosovës.

Sipas Prokurorisë, Radoiçiq dyshohet se “ka siguruar armë, municione dhe mjete shpërthyese me fuqi të madhe shkatërruese nga Tuzlla, në Federatën e Bosnje dhe Hercegovinës, nga janari 2023 deri më 24 shtator”.

Armët i janë dorëzuar në territorin e qytetit të Beogradit – më së shpeshti në paralagjet Bubanj Potok dhe Vërçin, sipas Prokurorisë.

Më pas, ato armë “ai i ka transportuar dhe ruajtur në vende të pacaktuara në territorin e Kosovës, ku i ka fshehur në objekte të braktisura dhe pyje”, thuhet në deklaratën e Prokurorisë.

Sipas saj, i dyshuari e ka mohuar kryerjen e veprave të përmendura penale.

Shpërndaje në: