SBASHK: Nëse nuk gjendet një zgjidhje, mund të rrezikohet mbajta e testit të maturës

SBASHK: Nëse nuk gjendet një zgjidhje, mund të rrezikohet mbajta e testit të maturës

Ymer Ymeri nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës (SBASHK) ka folur për grevën e paralajmëruar në arsim.

Ymeri tha se nëse nuk arrihet një zgjidhje deri më datën kur shpallet greva e përgjithshme, mund të rrezikohet mbajtja e testit të maturës.

Sipas tij, përgjegjësia i takon Ministrisë së Arsimit.

“Është keq për mësimdhënësit që mund të mos fillojë viti i ri shkollor, se krejt kjo varet nga qeveria nuk varet nga dhe sindikatat, e aq më e keqe që nëse deri me datën 24 apo 25 kur të shpallet greva, nuk gjendet një zgjedhje mund të rrezikohet edhe mbajtja e testit të maturës, për shkak se është e paraparë të mbahet me datën 27. Mësimdhënësit do të jenë në grevë dhe nuk e di Ministria a e ka menduar ndonjë zgjedhje tjetër por përsëri kjo është çështje që ata duhet të mendojnë”, ka deklaruar Ymeri.

Ai ka thënë se Qeveria ka refuzuar ndërmjetësuesin për ndërmjetësim në realizimin e kërkesave me dialog.

Ymeri në emisionin “Ditari” në Tëvë1, tha se grevën nuk po e shpallin udhëheqësit sindikal, por anëtarësia.

“Qeveria edhe ndërmjetësuesin e ka refuzuar dhe nuk e ka pranuar për të pasur ndërmjetësim për me realizu kërkesat me dialog. Qeveria si duket ka zgjedhur një mënyrë tjetër, tenton të bisedon me anëtarët e sindikatave duke injoruar udhëheqësit e tyre”.

“Grevën nuk janë duke e shpallur udhëheqësit sindikal, por janë duke e shpallur anëtarësia. Ne kemi grumbulluar nënshkrime të anëtarësisë, kërkesat e tyre që nëse nuk ka rezultat dialogu, veprimet të tjera sindikale siç e kemi pasur grevën një orëshe dhe dy protestat tjera që nuk kanë sjellë rezultate të përdorim edhe grevën e përgjithshme”, ka deklaruar Ymeri.

Ai uron që data 24 apo 25 kurdo që përcaktohet data, të gjejnë një zgjidhje të përbashkët që sipas tij të mos humbet mësimi.

Shpërndaje në: