Shah-mat: Gjenitë e triumfit më të madh politik që nga Pavarësia

Shah-mat: Gjenitë e triumfit më të madh politik që nga Pavarësia

Shkruan Burim Pacolli

Gjithçka u ekzekutua në mënyrë gjeniale dhe thjesht nuk mund të vinte në kohë më të mirë.

Humbja më e padhimbshme e përjetuar ndonjëherë nga populli kosovar. Fundja, nuk ka të bëjë as me futboll.

Kësaj radhe futbolli është përdorë vetëm si rrugë për ta bërë shah-matin më të madh që nga Pavarësia e Kosovës ndaj agresorëve dhe atyre që po punojnë dit e natë për prishjen e imazhit tonë.

Mijëra postime e nga to mijëra ripostime tjera, e nga to miliona ndryshime qëndrimesh e përshtypjesh për një vend të vogël.

E dini për çka e kam fjalën. Humbja 4-0 e Kosovës kundër Anglisë është ajo që i kishte munguar deri tani popullit tonë.

Sigurisht, ne e dimë çka jemi, sfida kryesore ishte si ta përcjellim mesazhin jashtë vendit më të izoluar në Evropë.

Epo, mundësia erdhi dhe mënyra se si e shfrytëzuam është thjesht gjeniale. Jo, nuk e teprojmë nëse themi se ajo që bëmë është thjesht gjeniale.

“Mikpritja në Kosovë është e pabesueshme. Pronari i apartamentit që e rezervuam tha se mund të qëndrojmë pa pagesë vetëm sepse jemi nga Anglia dhe na bleu katër birra. E pabesueshme.”

Ky është postimi i një fansi anglez të quajtur Aaron Rose, i cili me shumë gjasë ka qenë tejet skeptik para udhëtimit drejt Kosovës.

E në një postim tjetër, i njëjti ka shkruar: “Mund të futet në listën e një prej udhëtimeve më madhështore në futboll ndonjëherë. Faleminderit Kosovë.”

Nëse vazhdojmë të merremi me postime të tilla në këtë tekst, do të shëndrrohet në një kohë tepër të mërzitshme për lexuesit, pasi të tilla kemi për t’i mbushur nja 40 faqe tjera.

Dhe kur themi 40 faqe, e kemi fjalën vetëm të fansave ordinerë që udhëtuan në përkrahje të vendit të tyre.

Lista zgjerohet kur i përfshijmë personat me “tik” në rrjetet sociale që erdhën qoftë në rolin e gazetarit, stafit teknik, lojtarit apo edhe trajnerit. Të gjithë mbetën të fascinuar nga ajo që panë dhe nuk hezituan aspak ta bëjnë të ditur në rrjetet sociale, duke ndarë eksperiencën e tyre me dhjetra milionë persona të tjerë që nuk e patën rastin të udhëtojnë.

Marketing e promovim i shtetit më mirë se kaq thjesht nuk mund të bëhet. Ministria e Jashtme mund të shpenzojë qindra miliona në të ardhmen në përmirësimin e imazhit të vendit dhe lobimit për njohjen e Pavarësisë, por prapë kurrë as për së afërmi nuk do të marrë në këmbim diçka të tillë.

Andaj, kur themi se populli kosovar mund të ketë bërë lëvizjen më gjeniale ndonjëherë në njohjen dhe përmirësimin e imazhit të vendit tonë, e themi me gojën plot.

Thjesht nuk kishte si të shkonte më mirë. Në kohën kur duket se nuk po bëhet asnjë hap progresiv për integrime euro-atlantike, Kombëtarja e Kosovës u përball me Anglinë në “Fadil Vokrri”.

Rezultati? Epo, anglezët u larguan nga Prishtina duke u ndjerë se meritojnë më pak nga tërë ato buzëqeshje, dashuri e birra falas që i morën nga kosovarët.

Secili shtet nikoqir i fansave të “Tre Luanëve” ka shqetësime të jashtëzakonshme sa herë që zhvillojnë ndeshje kundër britanikëve. Natyrisht, jo më kot, pasi huliganët nga Ishulli njihen si ndër tifogrupet më famëkeqe në botë.

Askush nuk dëgjoi gjë për këta huliganë që po bëjkan zullum nëpër tërë botën në shtetin tonë.

Në Kosovë nuk patën me kë të bënin probleme, u rrahën ndërmjet vete. Interesante, apo jo?

Anglia gjeti në Kosovë një popull të bashkuar për një qëllim dhe një ideal, pikërisht në kohën kur kishim filluar t’i harrojmë ato virtyte të jashtëzakonshme që i kemi kaluar nëpër breza me shekuj.

Atë që politika s’mundi ta bënte për kaq shumë vite, e bëri futbolli. /Periskopi.com/

Shpërndaje në: