Shala: Kurti e ka dhënë veriun, zbatimi i Asociacionit ka nisur

Shala: Kurti e ka dhënë veriun, zbatimi i Asociacionit ka nisur

Anëtari i Kryesisë së Partisë Socialdemokrate, Azdren Shala, ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti “e ka dhënë veriun e Kosovës nëpërmjet gabimeve në dialog me Serbinë”, derisa ka thënë se janë rrezikuar edhe raportet me partnerët ndërkombëtarë.

Ai ka deklaruar në Interaktiv të KTV-së të enjten se zbatimi i Asociacionit ka nisur ende pa nënshkrimin e tij, nëpërmjet mbajtjes së zgjedhjeve në veri dhe betimit të kryetarëve.

“Zgjedhjet ishin gabim të mbaheshin, pasi bojkoti tregon se s’po duan të integrohen në këtë shoqëri, e kjo për shkak të amatorizmit të Qeverisë. Veriu nuk është problem që zgjidhet me demonstrimin e forcës, problemi i veriut ishte politik. Ai është dashur të zgjidhet në Bruksel, ka degraduar edhe më shumë sesa qe ka qenë. Kish me qenë mirë që premtimet e Kurtit të mos merren seriozisht, pasi kemi kryeministër që s’i ka mbajtur zotimet që i ka dhënë”, ka deklaruar Shala.

Sipas zyrtarit të PSD-së, Kosova e ka obligim të dorëzojë draftstatutin për Asociacionin, e për të, i frikshëm është paralajmërimi i Qeverisë “për krijim të një tensioni tjetër në veri”.

“Plani franko-gjerman po vjen në zbatim, ende pa u pranuar plani. Po i lexojmë simptomat e para të vetëmenaxhimit. Kjo që po bëhet është përpjekje për të përgatitur opinionin që kjo pjesë s’është në kontroll të Kosovës…Vazhdimisht flasin për sovranitet, e aty sigurinë e ka bërë KFOR-i, e jo policia jonë. Kosova s’ka shanse të shtrijë sovranitetin për shkak të disa veprimeve amatoreske të bëra nga Kurti”, ka thënë ai.

Shala ka shtuar se zgjedhjet në veri do të dalin farsë, e siç ka thënë ai, kryeministri Kurti “ka provuar të dëshmojë në atë pjesë dhe është zmbrapsur”.

“Ka çuar polici dhe është tërhequr dhe situatën e ka marrë nën kontroll KFOR-i…Qeveria ia ka dhënë argumentin Evropës që kjo pjesë (veriu) është e pamenaxhueshme… Kurti është dorëzuar, këto janë përpjekje, skenarë që të treguar forcë. Kurtin s’po e shqetëson fakti për ndarjen e veriut. Me këtë ne po flasim për shtet paralel, e kjo po shihet tashmë. Qeverisë s’po i intereson fati i Kosovës, po të mos humbet elektorat”, ka shtuar ai.

Me Asociacionin, sipas zyrtarit të PSD-së, serbët do të kenë kompetenca ekzekutive dhe në Kosovë do të formohet një minishtet.

Shpërndaje në: