SHBA dëbon pesë emigrantë të dënuar për krime të rënda drejt Eswatinisë

SHBA dëbon pesë emigrantë të dënuar për krime të rënda drejt Eswatinisë

Shtetet e Bashkuara kanë dëbuar pesë emigrantë të paligjshëm, të cilët autoritetet amerikane i kanë përshkruar si “kriminelë barbarë”, duke i dërguar me një fluturim drejt Mbretërisë së Eswatinisë në Afrikën Jugore, sipas asaj që raporton BBC.

Në këtë fluturim ndodheshin persona nga Vietnami, Xhamajka, Laosi, Kuba dhe Jemeni, të dënuar për krime të rënda që variojnë nga përdhunimi i fëmijëve deri te vrasja. Këtë e konfirmoi përmes një postimi në rrjetin X (ish-Twitter) Tricia McLaughlin, zëvendëssekretare në Departamentin Amerikan të Sigurisë Kombëtare.

“Këta individë janë aq të pamëshirshëm saqë vendet e tyre nuk pranuan t’i kthenin,” shkroi McLaughlin, duke i quajtur “monstra të degjeneruar” që, sipas saj, “kishin terrorizuar komunitetet amerikane”.

Qeveria e Eswatinisë, monarkia e fundit absolute në Afrikë, tha se është e vetëdijshme për shqetësimet e qytetarëve lidhur me deportimet.

“Pesë personat janë aktualisht të vendosur në njësi të izoluara në burgjet tona, ku mbahen edhe të dënuar të tjerë për krime të ngjashme. Sigurojmë popullin se këta persona nuk përbëjnë kërcënim për vendin apo qytetarët,” deklaroi zëdhënësja qeveritare Thabile Mdluli

Sipas autoriteteve të Eswatinisë, në bashkëpunim me Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Migracionin, do të punohet për të mundësuar tranzitin e tyre drejt vendeve të origjinës.

Kjo është pjesë e një politike më të gjerë të administratës Trump, e cila muajin e kaluar fitoi të drejtën ligjore për të dëbuar migrantë edhe drejt vendeve të treta, jo domosdoshmërisht vendet nga të cilat ata vijnë.

Ndër vendet e përmendura si destinacione për këto deportime janë Ruanda, Benini, Angola, Guinea Ekuatoriale dhe Moldavia. Më herët, SHBA kanë dërguar persona të dëbuar edhe në Salvador, Kosta Rika dhe së fundmi në Sudanin e Jugut, ku u mbajtën tetë të dënuar në një strukturë civile nën mbikëqyrjen e policisë.

Politika e ashpër e emigracionit është kthyer në një shtyllë kryesore të fushatës së Donald Trump, i cili ka premtuar dëbime masive dhe rikthimin e kontrolleve të rrepta, përfshirë bastisjet në vendet e punës dhe kufizimin e lejeve të përkohshme të punës.

Ndërkohë, vende si Nigeria kanë refuzuar të pranojnë migrantë të dëbuar ose persona të dënuar të sjellë nga SHBA.

Eswatini, i njohur më parë si Suazilanda, është një vend i vogël i rrethuar nga Afrika e Jugut dhe Mozambiku dhe që prej vitit 1986 drejtohet nga Mbreti Mswati III./Periskopi/

Shpërndaje në: