ShBA-ja fton Angolën e Kongon në Samitin për Demokraci por jo Turqinë, ja çfarë thotë “Freedom House”

ShBA-ja fton Angolën e Kongon në Samitin për Demokraci por jo Turqinë, ja çfarë thotë “Freedom House”

Departamenti i Shtetit i Shteteve të Bashkuara e ka publikuar listën e shteteve që janë ftuar në Samitin për Demokracinë, i cili do të mbahet më 9 e 10 dhjetor në ShBA. Por çfarë kritere janë përdorur për hartimin e kësaj liste? Në të janë disa shtete që, sipas organizatës së njohur ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, “Freedom House”, nuk janë të lira ose janë pjesërisht të lira.

Për shembull, në listën e vendeve të ftuara në Samitin për Demokracinë ndodhet Republika Demokratike e Kongos. Sipas raportit të organizatës “Freedom House”, indeksi i demokracisë në këtë shtet në raportin për vitin 2021 është vetëm 20 nga maksimumi prej 100 pikësh, prandaj cilësohet si vend jo i lirë. Ndërkohë Turqia e ka indeksin e demokracisë 34, sipas “Freedom House”, por nuk është ftuar në samit.

Sa u përket të drejtave politike, organizata e njohur i ka dhënë Republikës Demokratike të Kongos vetëm 5 nga 40 pikë të mundshme, ndërsa për liritë civile, vetëm 15 nga 60 të mundshme, shkruan Gazeta Express.

“Sistemi politik në Republikën Demokratike të Kongos është paralizuar në vitet e fundit përmes manipulimit të procesit zgjedhor nga elitat politike. Qytetarët nuk kanë mundësi që t’i ushtrojnë lirshëm liritë themelore civile dhe korrupsioni është endemik”, thuhet në raportin e organizatës “Freedom House” për shtetin afrikan.

Në listën e të shteteve që janë ftuar në Samitin për Demokraci është edhe vendi tjetër afrikan, Angola. As ky shtet, sipas organizatës “Freedom House”, nuk është i lirë. Në raportin vjetor për vitin 2021, Angola ka vetëm 10 pikë nga 40 të mundshme sa u përket të drejtave politike dhe vetëm 21 pikë nga 60 të mundshme për liritë civile.

“Angola është udhëhequr nga e njëjta parti që nga pavarësia (1975) dhe autoritetet në mënyrë sistematike e kanë shtypur pakënaqësinë politike. Korrupsioni, shkeljet në sistemin e drejtësisë dhe abuzimet nga forcat e sigurisë mbeten të zakonshme”, thuhet në raportin e organizatës “Freedom House” për Angolën. Megjithatë, Shtëpia e Bardhë e ka parë të arsyeshme që ky shtet të ftohet në Samitin për Demokraci.

Shpërndaje në: