SHBA-ja: Me vaksinat që i dhuruam sot, Kosova mund t’i mbrojë më shpejt qytetarët e saj

SHBA-ja: Me vaksinat që i dhuruam sot, Kosova mund t’i mbrojë më shpejt qytetarët e saj

Departamenti amerikan i Shtetit i ka reaguar me rastin e dhurimit të 503,100 dozave të vaksinës Pfizer nga SHBA-ja për Kosovën.

Përmes një postimi në Facebook, Departamenti i Shtetit ka thënë se dozat e reja të Pfizerit do t’ia mundësojnë Kosovës që t’i mbrojë më shpejt qytetarët e saj.

Me rritjen e më shumë varianteve të COVID-19 si Delta, dhurimi i sotëm i 503,100 dozave të vaksinës Pfizer do t’ia mundësojnë Kosovës që t’i mbrojë qytetarët e saj më shpejt. Një Kosovë e shëndetshme, e pavarur, e qëndrueshme është partnere më e fortë për Shtetet e Bashkuara”

Për vaksinat e dhuruara ka shkruar edhe Ambasada e Kosovës në Prishtinë, duke thënë se ato janë jetëshpëtuese, të sigurta dhe shumë efektive.

“Sot Shtetet e Bashkuara dhuruan 503,100 doza shtesë të vaksinës jetëshpëtuese, të sigurtë dhe shumë efektive, Pfizer për Kosovën. Duke përfshirë pjesën e parë të 20 fushtit, Shtetet e Bashkuara kanë dorëzuar mbi 538,200 doza për t’i mbrojtur kosovarët”, thuhet në postimin e Ambasadës amerikane.

Kosova ka mbi dy javë që po përballet me situatë tragjike me pandeminë. Varianti Delta i koronavirusit ka gjetur terren të përshtatshëm në vendin e vogël të Ballkanit, qytetarët e të cilit e kaluar një verë pa asnjë kufizim.

Statistikat e nxjerra nga Universiteti “John Hopkins” tregojnë se Kosova ka dështuar në menaxhimin e pandemisë dhe në vaksinimin e popullsisë.

Grafikat e publikuara nga ky Universitet paraqesin numrin e rasteve të konfirmuara me Covid-19. Me mbi 12 mijë të infektuar për periudhën nga 3 deri më 28 gusht, statistikat tregojnë se Kosova radhitet e para me më së shumti raste të reja.

Edhe për numrin e viktimave të regjistruara gjatë kësaj kohe, Kosova është e para me mbi 70 viktima, duke lënë pas Spanjën, Francën, Anglinë e Italinë.

Qeveria deri më tani nuk ka qenë në gjendje ta ngadalësojë rritjen eksponenciale të rasteve të reja me koronavirus, dhe rrjedhimisht rritjen e frikshme të numrit të viktimave, që vazhdon të jetë mbi 20 për çdo ditë.

Para pak ditësh, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia përmes një konference për media njoftoi për hudhjen e 133 mijë e 234 dozave të vaksinës AstraZeneca, të cilave u kishte dalë afati i përdorimit më 31 gusht.

Në të njëjtën konferencë, Vitia njoftoi po ashtu se nga kjo javë ekipet e vaksinimit do të punojnë edhe gjatë vikendit, pasi deri tani ata pushonin të shtuneve dhe të dielave.

Shpërndaje në: