SHBA-ja nis luftanije drejt Iranit, OKB paralajmëron për numër të paprecedentë vdekjesh gjatë protestave
Luftanijet amerikane po shkojnë drejt Iranit, teksa zyrtarët iranianë po mbrojnë shtypjen brutale të protestave antiqeveritare, shtypje të cilën Kombet e Bashkuara po e cilësojnë si goditjen më vdekjeprurëse të Republikës Islamike ndaj popullit të saj që nga marrja e pushtetit gjatë revolucionit të vitit 1979.
Mes një bllokade disajavore të internetit, informacionet për përmasat e shtypjes së protestave – të cilat nisën me tregtarët në Teheran që protestuan kundër rritjes së inflacionit dhe zhvlerësimit të valutës kombëtare – vazhdojnë të zbulohen ngadalë, teksa grupet për të drejtat e njeriut po mbledhin të dhëna nga spitalet dhe dëshmitarët okularë.
Agjencia e lajmeve e aktivistëve për të drejtat e njeriut (HRANA), me seli në SHBA, thotë se deri më 22 janar, pas 26 ditësh protesta, ka verifikuar 5.002 vdekje, përfshirë 201 pjesëtarë të forcave të sigurisë, ndërsa mbi 9.787 vdekje të tjera janë ende duke u hetuar.
Mai Sato, raportuesja e posaçme e OKB-së për të drejtat e njeriut në Iran, tha më 22 janar se numri i civilëve të vrarë gjatë shtypjes së protestave mund të tejkalojë edhe shifrën 20.000, ndërsa po dalin në dritë raporte nga mjekët.
Gjatë një mbledhjeje më 23 janar mbi ngjarjet në Iran, Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut shprehu shqetësim të thellë për “përmasën e paprecedent të shtypjes së dhunshme të protestave paqësore nga forcat e sigurisë në Iran, raportet për vrasje pa gjyq të protestuesve, përfshirë gra dhe fëmijë, si dhe përdorimin e tepruar dhe vdekjeprurës të forcës, që ka rezultuar me vdekjen e mijëra protestuesve paqësorë dhe plagosjen e shumë të tjerëve”.
Presidenti amerikan, Donald Trump, tha më 22 janar se Shtetet e Bashkuara kishin një “flotë” që po nisej drejt Iranit, por shpresonte të mos i duhej ta përdorte atë, teksa përsëriti paralajmërimet ndaj Teheranit që të mos vriste protestues dhe të mos rifillonte programin e tij bërthamor.
“Kemi shumë anije që po shkojnë në atë drejtim, për çdo rast. Do të preferoja të mos ndodhte asgjë, por po i vëzhgojmë shumë nga afër… kemi një flotë… që po shkon në atë drejtim dhe ndoshta nuk do të na duhet ta përdorim”, u tha Trump gazetarëve në bordin e avionit presidencial teksa po kthehej në Uashington nga Forumi Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës.
Aeroplanmbajtësja USS Abraham Lincoln dhe disa luftanije të tjera të pajisura me raketa pritet të mbërrijnë në Lindjen e Mesme në ditët në vijim./Periskopi



