SHBA: Rritet numri i imigrantëve në qendrat e paraburgimit

Periskopi.com Lajme

Numri i emigrantëve në qendrat federale të paraburgimit është shtuar ndjeshëm nën udhëheqjen e Presidentit Joe Biden. Që nga fundi i shkurtit, numri i të ndaluarve është dyfishuar, duke shkuar në afër 27 mijë. Kjo shifër është më e lartë krahasuar me numrin e përgjithshëm të të ndaluarve deri në gushtin e vitit të kaluar nën administratën e ish-Presidentit Donald Trump.

Alexander Martinez thotë se iku drejt Shteteve të Bashkuara për të shpëtuar nga banda famëkeqe MS-13 dhe homofobia në vendin e tij të lindjes në El Salvador, por shton se abuzimi dhe ngacmimet e shoqëruan edhe në sistemin e paraburgimit amerikan për emigracionin.

Që nga muaji prill kur kaloi në mënyrë të jashtëligjshme kufirin ShBA-Meksikë, 28 vjeçari është transferuar në gjashtë qendra të ndryshme paraburgimi në tri shtete.

Ai thotë se gjatë kësaj kohe është infektuar me COVID-19, është përballur me fyerje racore dhe abuzime nga rojet, ndërsa të paraburgosurit e ngacmojnë për faktin se është homoseksual.

“Po bëj 47 ditë në ndalim dhe kam parë afërsisht 13 emigrantë që janë përpjekur të presin venat ose të varin veten sepse mënyra se si trajtohemi është çnjerëzore”, thotë imigranti nga El-Salvadori.

Në maj, administrata e Presidentit Biden u dha fund kontratave me dy qendra të diskutueshme paraburgimi – njëra në Xhorxhia dhe tjetra në Masaçusets, gjë që u përshëndet nga aktivistët si fillimi i ndryshimeve.

Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë tha se buxheti i Presidentit Biden ul fondet për numrin e shtretërve në paraburgim dhe shton ato për shqyrtimin e kërkesave të azilit.

Zoti Martinez në maj përfundoi fazën e parë të procesit të azilit dhe rasti i tij u quajt i besueshëm që nëse kthehet në vendin e tij mund të prballet me pasoja.

Avokatët e tij thonë se ai po mbahet gabimisht në paraburgim, pasi autoritetet dyshojnë se është anëtar i bandës MS-13.

Të ndaluarit dhe avokatët e tyre bëjnë thirrje për mbylljen e qendrave të paraburgimit, ndërsa kërkojnë që monitorimi i imigrantëve të bëhet me pajisje vëzhguese dhe masa tjera.

“U bëj thirrje autoriteteve të këtij vendi, organizatave që mbështesin reformën në imigracion dhe Presidentit Joe Biden që të mos lejojë që imigrantët të trajtohen në mënyrë çnjerëzore në qendra korrektuese”, thotë zoti Martinez.

Muajin e kaluar imigrantët që mbahen në burgun e bashkisë Bergen në Nju Xhersi dorëzuan një ankesë tek zyra për të drejtat civile të Sigurisë Kombëtare, duke kërkuar hetim për kushtet e rënda sanitare dhe neglizhencë mjekësore gjatë pandemisë COVID-19.

Ngjashëm vepruan edhe të paraburgosurit në Qendrën Korrektuese në bashkinë Plymouth në Masaçusets, të cilët u ankuan për ndalimin e vizitave.

Banorja e Masaçusetsit, Allison Cullen thotë se nuk është lejuar të takojë bashkëshortin e saj, shtetas brazilian, që para pandemisë.

“Situata ka lënduar shumë familjen time. Kjo nuk ka të bëj me drejtësi, nuk është për ta bërë Amerikën më të sigurt, nuk ka të bëj me sigurinë e komunitetit. Kjo është epokë e errët për Amerikën”, thotë përmes telefonit në një telefonatë me bashkëshorten e tij, Flavio Andrade Prado, imigrant nga Brazili që ndodhet në paraburgim.

Zonja Cullen thotë se vajza e tyre dy-vjeçare nuk e ka takuar prej muajsh babain e saj.

Imigranti Prado thotë se ka humbur besimin tek politikanët, të cilët i akuzon se premtojnë shumë, por dështojnë t’i realizojnë ato kur marrin detyrën.

Shpërndaje në: