Shefqet Osmani rikthehet në garë në listën e LDK’së: Përvojë, besim dhe përkushtim për Prishtinën
Me numrin 28 në listën e LDK’së, biznesmeni dhe ish-asamblisti synon ta vazhdojë rrugëtimin e nisur, duke i sjellë kryeqytetit vizion, punë të dëshmuar dhe mbështetje të plotë për Përparim Ramën.
Shefqet Osmani, kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për Asamblenë Komunale të Prishtinës, ka vendosur të rikthehet në garën zgjedhore për një mandat të ri. Me numrin 28 në listën e LDK’së dhe me përkrahjen për kryetarin aktual, Përparim Rama, Osmani synon ta vazhdojë rrugëtimin e nisur me qytetarët e kryeqytetit.
“Sot rikthehem të kërkoj besimin qytetarëve të Prishtinës për të vazhduar këtë rrugëtim, si kandidat i LDK’së, me numrin 28 dhe me përkrahje të plotë për kryetarin aktual Përparim Rama,” është shprehur Osmani për Periskopin.

I lindur në fshatin Koliq në vitin 1969, Osmani ka kaluar jetën duke u përkushtuar ndaj punës, komunitetit dhe sportit. Ai vjen nga Llagjja e njohur e Prishtinës, Kodra e Trimave, dhe njihet për afërsinë dhe mbështetjen e tij ndaj banorëve të lagjes.
Osmani shkollimin fillor e nisi në vendlindje, ndërsa e vijoi në Prishtinë. Pasioni për teknikën e udhëhoqi drejt shkollës së mesme teknike, ku përfundoi drejtimin e elektroteknikës. Studimet i zhvilloi në Sarajevë dhe më pas në Universitetin e Prishtinës, ku u diplomua në vitin 2008.
Në vitin 1993, Osmani themeloi ndërmarrjen “Arbëria Sh.p.k.”, një biznes që për më shumë se tri dekada ka kontribuar në ekonominë vendore dhe ka krijuar vende pune për qindra qytetarë.
Përveç zhvillimit ekonomik, ai ka mbështetur edhe shumë projekte shoqërore në dobi të qytetarëve.
Angazhimi i tij politik filloi në vitin 2017 kur u zgjodh asamblist i Kuvendit Komunal të Prishtinës. Gjatë mandatit 2017-2021 ai përfaqësoi me dinjitet interesat e qytetarëve dhe kontribuoi në vendimmarrjet për zhvillimin e kryeqytetit. Në vitin 2018, Osmani kandidoi edhe për deputet në Kuvendin e Kosovës, duke dëshmuar ambicie për të ndikuar në nivel qendror.

Në vitin 1996, Osmani themeloi Klubin e Futbollit “Arbëria”, i cili funksionoi deri në vitin 2002. Ky klub nuk ishte vetëm një skuadër futbolli, por një simbol i qëndresës dhe bashkimit në një periudhë të vështirë nëpër të cilë kalonte Prishtina dhe Kosova./Periskopi



