Shkatërrohet organizata shqiptare e drogës në Itali, 8 urdhër arreste
Një operacion ndërkombëtar kundër trafikut të drogës është zhvilluar në orët e para të mëngjesit nga Policia e Shtetit italiane, duke çuar në arrestimin e nëntë personave, tetë me origjinë shqiptare dhe një shtetas italian, të dyshuar si pjesë e një organizate kriminale të strukturuar për trafik ndërkombëtar narkotikësh.
Operacioni, i koduar “STURL ONE”, u zhvillua nga Policia e Reggio Emilias, nën koordinimin e Prokurorisë së Bolonjës-Drejtoria Distriktuale Antimafia, dhe përfshiu ekzekutimin e masës së sigurisë “arrest me burg”, të miratuar nga Gjykata e Hetimeve Paraprake në Bolonjë. Arrestime dhe kontrolle janë kryer në disa provinca të Italisë, përfshirë Reggio Emilia, Bergamo, Brescia dhe Savona, si edhe në Francë, Spanjë dhe Shqipëri, falë bashkëpunimit me autoritetet policore të huaja dhe Policinë Kriminale Shqiptare.
Hetimet janë vijim i operacioneve të mëparshme “TREXIT 2019” dhe “BLACK MAMBA”, të cilat në vitet 2021 dhe 2022 kishin çuar në arrestimin e 35 personave. Nga hetimet rezulton se organizata kishte kapacitet të lartë logjistik dhe financiar, duke importuar sasi të mëdha kokaine, hashashi dhe marijuane nga Amerika e Jugut, Europa Veriore dhe Spanja, të fshehura në kamionë me ngarkesa perimesh.
Vetëm në gjashtë muaj, grupi kriminal dyshohet se ka shpërndarë mbi 200 kilogramë kokainë dhe rreth 1 ton hashash e marijuanë, duke gjeneruar fitime në miliona euro. Anëtarët e organizatës komunikonin përmes platformës së koduar “SkyECC”, e cila u çkodua nga autoritetet franceze në fund të vitit 2020, duke i hapur rrugë zbardhjes së aktivitetit kriminal.
Në total, janë 15 persona nën hetim, ndërsa gjatë kontrolleve u sekuestruan drogë, para cash dhe mjete komunikimi. Gjatë një kontrolli në Brescia, një shtetas maroken u arrestua në flagrancë me mbi 3 kg drogë dhe 5.800 euro. Autoritetet italiane e cilësojnë operacionin si goditje të fortë ndaj kupolës së organizatës kriminale./Periskopi/



