Shpallja e gazetares ruse “non grata”, Grenell: Është një precedent i tmerrshëm

Periskopi.com Lajme

Ish-emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë – Serbi, ka reaguar për arrestimin dhe shpalljen “non grata” të spiunes ruse, Daria Aslamova.

Pasi ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla kishte shkruar në Twitter se rusja Aslamova u arrestua në të njëjtën ditë kur Policia e Kosovës u sulmuan nga bandat kriminale në veri të vendit, Grenell reagoi duke thënë se ky “është një precedent i tmerrshëm”.

“Ndërsa ju keni çdo të drejtë të dëboni individë pro-rusë (ose këdo) që nuk ju pëlqen, po krijoni gjithashtu një precedent për qeveritë e tjera që t’i ndalojnë zyrtarët e Kosovës që nuk i pëlqejnë…. Është një precedent i tmerrshëm”, shkroi Grenell.

“Po kështu është edhe refuzimi i afisheve serbe në targa”, shtoi ai, duke rikonfirmuar qëndrimin e tij kundër çdo lloj mase reciprociteti me Serbinë që Kosova synon ta vendos.

Sveçla kishte shkruar se arrestimi i Aslamovës, të cilën sot njoftoi se e ka shpallur “non grata” duke ia ndaluar hyrjen në Kosovë për 5 vjet – është “ndërhyrjes së Rusisë në veri të Kosovës”.