Shtëpia e Bardhë: Izraeli ka rënë dakord të dëgjojë shqetësimet e SHBA-së përpara se të nisë një pushtim në Rafah

Shtëpia e Bardhë: Izraeli ka rënë dakord të dëgjojë shqetësimet e SHBA-së përpara se të nisë një pushtim në Rafah

Izraeli ka rënë dakord të dëgjojë shqetësimet dhe mendimet e SHBA-së përpara se të nisë një pushtim të qytetit Rafah në Gaza, tha zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby.

Ai, duke folur për ABC, tha gjithashtu se Izraeli ka filluar të përmbushë angazhimet që i bëri presidentit amerikan, Joe Biden, për lejimin e ndihmës në veri të Gazës.

Izraeli ka sinjalizuar se planifikon të vazhdojë me një operacion tokësor në jug të Rafahut, e vetmja pjesë e Gazës ku nuk ka dërguar trupa.

Më shumë se gjysma e popullsisë së territorit palestinez prej 2.3 milionë banorësh ka kërkuar strehim në Rafah pasi ikën nga bombardimet izraelite në vendet tjera.

Plani i kërcënuar prej kohësh për të sulmuar qytetin ka tërhequr kundërshtimin e fortë nga aleatët e Izraelit, përfshirë SHBA-në, të cilat thanë se do të shkaktonte mijëra viktima civile dhe do të pengonte më tej dërgesat e ndihmave.

Bideni ka paralajmëruar më parë se Izraeli nuk duhet të hyjë në Rafah pa plane të besueshme për të mbrojtur civilët, shkruan The Guardian.

Shpërndaje në: