Shtyhen mbi 20 seanca brenda javës

Shtyhen mbi 20 seanca brenda javës

 

Gjyqtarja e Departamentit të Përgjithshëm, Naime Krasniqi-Jashanica në derën e zyrës së saj, ka vendosur një njoftim, me të cilin ka anuluar të gjitha seancat të cilat ishin përcaktuar paraprakisht të mbahen të premten.

Gjyqtarja Krasniqi-Jashanica për “Betimi Për Drejtësi”, tha se këtë e kishte bërë për arsye se aktualisht nuk ka zyrtare ligjore dhe në këtë mënyrë nuk mund të mbajë seanca.

Sipas gjyqtares për këtë arsye vetëm gjatë kësaj jave nuk janë mbajtur afërsisht 20 seanca.

“Sekretaria ime është në pushim vjetor, edhe pse disa herë më parë kam bërë kërkesë në sekretarinë e gjykatës që të më caktoj një zyrtar, por e njëjta nuk është caktuar”, tha gjyqtarja Krasniqi-Jashanica.

Vetëm gjatë së premtes te e njëjta gjyqtare nuk janë mbajtur gjashtë seanca, tri nga të cilat ishin me të akuzuar që gjendeshin në paraburgim.

Është shtyrë seanca ndaj Daim Bunjakut që është akuzuar për “vjedhje të shërbimeve komunale”, Egzon Behramit dhe Kastriot Hamollit për “vjedhje të rëndë” dhe Blerim Baftiut dhe Besart Avdylit, për “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm në bashkëkryerje”.

Tre të akuzuarit kishin ardhur nga qendrat e paraburgimit, por seancat e tyre nuk ishin mbajtur për të njëjtën arsye.

“Mua më vjen keq për palët e veçmas për të pandehurit që gjendën në paraburgim, por për arsyet e lartcekura seancat janë anuluar”, theksoi gjyqtarja Krasniqi-Jashanica

Gjatë ditës së enjte dhe së premte nuk janë mbajtur as seancat gjyqësore që ishin përcaktuar kohë më parë te gjyqtari Naser Foniqi, i cili ka qenë gjyqtar në Departamentin e Përgjithshëm, por tani ka kaluar në Departamentin e Krimeve të Rënda.

Këto seanca janë shtyrë për afat të pacaktuar, ndërsa deri më tani nuk ka ndonjë informacion se kush e ka zëvendësuar gjyqtarin Foniqi në Departamentin e Përgjithshëm.

“Betimi për Drejtësi” ka kërkuar informata për këto çështje nga zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi, por e njëjta nuk ka dhënë këto informacione pasi ka treguar se është në pushim mjekësor.

“Ju njoftojmë se gjatë periudhës nga dt. 10.07.2017 deri më dt. 17.07.2017 do të jem në pushim mjekësor”, ishte përgjigja e zëdhënëses Gashi.

“Betimi për Drejtësi”, ka raportuar edhe ditë më parë kur seancat nuk janë mbajtur për shkak të mungesës së procesmbajtëses.

 

Shpërndaje në: