Shukri Bujës i ngritët tensioni sa herë e sheh Isa Mustafën, ia përmend 200 mijë punësimet

Shukri Bujës i ngritët tensioni sa herë e sheh Isa Mustafën, ia përmend 200 mijë punësimet

Buja, si një prej deputetëve që nuk e ka problem të thotë haptas atë çfarë mendon, tregon antipatinë që ka ndaj kryeministrit aktual, Isa Mustafa.

Thotë se prezenca e kreut të LDK-së i ngre tensione, vetëm për arsye të kaluarës së tij, jo për diç tjetër.

Buja, pranon se koalicioni PDK-LDK është në teh të shpatës, derisa paralajmëron se së shpejti mund të ketë zgjedhje të parakohshme në vend.

Në një intervistë dhënë për tesheshi.com deputeti i PDK-së tregon se si e sheh edhe koalicionin e ardhshëm qeverisës pas zgjedhjeve të reja, flet po ashtu edhe për shumë çështje të tjera, si për Gjykatën Speciale, rastin “Toka”, ku Azem Syla dyshohet si kreu i një grupi kriminal, si dhe nëse do kandidon apo jo për kryetar të Lipjanit.

“Kuvendi i Kosovës, siç mund ta shohin edhe qytetarët po funksionon me probleme, me gjuajtje fjalësh mes partive politike. Kuvendi më shumë funksionon përmes komisioneve parlamentare, pasi aty bëhet puna kryesore. Megjithatë për momentin po funksionon mirë, edhe pse ka probleme rreth Demarkacionit pasi po varet edhe liberalizimi i vizave. Më vonë do të ketë problem edhe më të madh me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, por në kohën më të afërt Kuvendi do të përballet me buxhetin për vitin 2017-të”.

Buja ka folur edhe për çështjen e Demarkacionit me Malin e Zi.

Sipas tij, është shumë e qartë se koalicioni qeverisës PDK-LDK nuk i ka votat për miratimin e kësaj marrëveshjeje.

Ai vlerëson se Demarkacioni duhet të zgjidhet me marrëveshje politike të gjithë spektrit politik shqiptarë.

“Në formën aktuale Demarkacioni nuk duhet fare të tentohet të rikthehet në Kuvend, sepse është e dëmshme nëse nuk ka një koncensus politik. Unë shpresoj se do të gjendet një zgjidhje. Ka mundësi të aprovohet në Parlament pjesa e cila nuk ka konteste, dhe të lihet e hapur çështja e kontesteve dhe të vazhdohen bisedat me Malin e Zi. Është edhe forma tjetër e formimit të një komisioni parlamentar me përfaqësimin e të gjitha partive politike, me ekspertë të cilët do ta shqyrtonin punën e komisionit shtetëror, të përmirësohen gabimet dhe të kthehen për Kuvend në miratim”.

Deputeti i PDK-së ka dhënë vlerësimin e tij edhe për kryeministrin Isa Mustafa, gjegjësisht rolin e tij si kryeministër.

“Vet prezenca e Isa Mustafës mua më ngrit tensione për shkak të kaluarës së tij. Dua të them diç konkrete për qeverinë aktuale: nëse është premtuar punësimi i mbi 200 mijë personave nga partitë në koalicion, sot ky premtim nuk është askund i realizuar. Po ashtu është premtuar se do të ketë zhvillim ekonomik, do të zhvillohet Brezovica, do të bëhet projekti i energjisë, formohet ushtria, dhe nëse këto nuk janë realizuar si mund të quhet ndryshe përveç dështim”, ka thënë ndër tjerash Buja.

Shpërndaje në: