Shumica e partive shqiptare kanë humbur qëllimet e tyre

Shumica e partive shqiptare kanë humbur qëllimet e tyre

Le Courrier des Balkans (CdB) : Keni qenë shumë kritik ndaj Qeverisë së Edi Ramës që nga ardhja e saj në pushtet. Pse braktisët Partinë Socialiste me rastin e ligjit të ri për mbetjet ?  

Ben Blushi (B.B.) : Kam qenë vazhdimisht kritik ndaj politikë së partisë, edhe para ardhjes së saj në pushtet, sepse kam vërejtur prirjet e saj për të rrëshqitur gjithnjë drejt së djathtës dhe për të mos mbajtur premtimet. Pas tri viteve në pushtet, Qeveria Rama nuk ka mbajtur asnjë premtim të saj, sa i përket luftës kundër papunësisë, pabarazive ose korrupsionit….Përkundrazi, borxhi publik është shumëzuar, emigrimi është rritur. Kjo qeveri nuk merret me të varfërit, por me të pasurit; kjo është arsyeja kryeosre e largimit tim. Sa i përket ligjit për importimin e plehrave, kjo është çështje etike. Është një ligj që është krijuar gjatë ish-qeverisë demokrate, i cili nuk kërkon të krijoj vende të punës ose ta përmirësojë shëndetin publik, por të importojë plehra nga Italia, Franca ose gjetiu; plehra që këto vende nuk dinë ku t’i vendosin. Kjo e dëmton imazhin e Shqipërisë, përfshirë edhe në fushën e investimeve ekonomike.

CdB : Keni deklaruar se duhet « filluar pastrimin e partive për ta bërë të mundshëm pastrimin e mbetjeve »…

B.B. : Në ditët tona, shumica e partive të mëdha shqiptare kanë humbur qëllimet e tyre. Nuk i respektojnë më qytetarët, por grupet e vogla të biznismenëve, të cilët kërkojnë vetëm t’i shërbehet interesave të tyre. Ata janë pasuruar falë politikanëve që vetëm se iu shërbejnë atyre. Këta janë personat që hartojnë ligjet, marrin vendimet, zgjedhin ata që do të ulën në kuvend ose që do të punojnë për administratën.  Të varfërit nuk janë të përfaqësuar në këtë vend. Për ta rimëkëmbur Shqipërinë, partitë duhen reformuar. Kur partitë kompromitohen me kriminelë ose në konflikte interesash, demokracia mbetet një mashtrim.

CdB : Shoqëria civile, e cila proteston kundër disa projekt-ligjeve që godasin mjedisin, ju konsideron edhe juve, si një pjesëtar të këtij sistemi i cili duhet recikluar. Përgjigja juaj?

B.B. : Është e drejta e tyre të më përceptojnë si të tillë, por secili prej nesh duhet kritikuar në funksion të asaj që ka thënë dhe që ka bërë. Kam votuar kundër ligjit për importin e plehrave, kundër ligjit për Universitetin dhe gjithashtu kundër ligjit që do ta kishte lejuar asgjësimin e armëve kimike siriane në Shqipëri. Unë braktisa partinë më të madhe të vendit dhe kompromitoj karierën time politike. Kam vendosur të flas lirisht. Në të gjitha këto tema të rëndësishme, kam qenë në të njëjtat linja me shoqërinë civile.

CdB : Që nga ardhja e tij në pushtet, Edi Rama pati thënë se dëshironte t’i godiste forcat e korrupsionit. Megjithatë, konfliktet e interesit publik-privat janë ende të pranishme dhe Brukseli kritikon drejtuesit shqiptarë për mosluftim të krimit të organizuar. A është kjo e mundshme sot në Shqipëri ?

B.B. : Duhet gjithnjë ruajtur shpresën, edhe pse ka shumë pak shenja pozitive. Edi Rama është çdo herë e më shumë i afërt dhe i varur nga grupet kriminale. Ai i frekuenton, zgjedh përfaqësuesit e tyre për krybashkiak, deputet ; si dhe ia mundëson hyrjen në kuvend dhe në Partinë  Socialiste…Kësisoj, ata e zgjerojnë ndikimin e tyre, duke i nxitur si shkëmbim klientët dhe varësit e tyre që të votojnë në zgjedhjet e ardhshme për Edi Ramën. Në një vend ku miqësia dhe marrëdhëniet midis Kryeministrit dhe grupeve kriminale janë aq të theksuara, si mendoni që drejtësia mund ta bëjë punën e saj ?

CdB : Lidhur me reformën e drejtësisë të sivjemë, keni deklaruar se do ta kemi « një reformë të drejtësisë por nuk do të kemi drejtësi ».

B.B. : Flas për faktet. Qeveria dhe opozita ishin të detyruara ta kalojnë këtë reformë nën presionin e Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Evropian. Por, kjo nuk do të thotë se do të ketë më shumë drejtësi. Si të behët kjo në një vend ku gjysma e territorit është e mbuluar me kanabis?

CdB : Një premtim tjetër i parealizuar nga kandidati Rama : emigracioni. Paratë e dërguara prej tyre në vend paraqesin ende një pjesë të rëndësishme të ekonomisë, mijëra njerëz vazhdojnë ta kërkojnë fatin e tyre në Gjermani ose në Britani të madhe. Cili është mesazhi i juaj për këta të rinj, të cilët duken se nuk presin asgjë nga klasa politike shqiptare ?

B.B : Jam mjaft i mërzitur me këtë situatë dhe e konsideroi emigrimin si një nga problemet tona më të rëndësishme. Këta të rinj nuk ikin sepse nuk nuk e duan vendin e tyre, por sepse mendojnë se ky vend nuk iu ndihmon. Ata kishin shumë shpresa më vitin 2013, kur e majta erdhi në pushtet, por ata janë zhgënjyer dhe shohin se nuk ka progres, drejtësi, punë. Vetëm korrupsion. Për ta patur një punë, duhesh të jesh anëtar i partisë ose të paguash. Studentët që dalin nga universitetet ikin, sepse nuk mund të paguajnë për ta pasur një punë.

CdB : Politika aktuale e kryebashkiakut të tanishëm të Tiranës lidhur me një park të madh ka nxitur përplasje të ashpra, të papara për kohë të gjatë në Shqipëri. A po e dëgjon ende shoqërinë civile Partia Socialiste ?   

B.B. : Nuk mendoj. Shoqëria civile kërkon një referendum për ligjin e plehrave, por qeveria e injoron. Zyrtarët përpiqen më shumë që ta korruptojnë shoqërinë civile dhe herë pas herë edhe ia dalin mjaft mirë.

CdB : Ju keni qenë gjithashtu mjaft kritik ndaj politikës së jashtme të Qeverisë Rama.  Megjithatë, Shqipëria duket të jetë me e konsideruar, sidomos nga partnerët e saj evropian. Ç’mendoni?

B.B. : Mendoj se Qeveria duhet ta kërkojë më shumë interesin ekonomik të vendit, se famën personale të Kryeministrit. Edi Rama përpiqet ta krijojë një imazh të një aktori të rëndësishëm të stabilitetit në rajon.

CdB : Keni qenë Ministër i arsimit në fillim të viteve 2000. Më 2016, shkollat private mbeten po aq të numërta. Ka një mungesë financimi për sektorin publik dhe pabarazi të shumta në qasjen për arsimim. Qeveria ka propozuar një ligj shumë liberal lidhur me reformën e Universitetit. Cila është pikëpamja juaj për këtë çështje?

B.B : Qeveria e tanishme, si ajo paraprakja, kanë bërë shumë pak për arsimin. Patëm premtuar që buxheti për arsimin publik do ta tejkalonte 5% të PBB. Për momentin është vetëm gjysma. Arsimi publik është i nënfinancuar dhe madje i sabotuar nga qeveria. Nuk jam kundër arsimit privat, por ai nuk duhet ta zëvëndësojë arsimin publik. Shteti duhet ta arsimojë secilin qytetar. Sot, shteti shqiptar nuk përmbushë detyrat e tij kushtetuese në këtë fushë.

CdB : Projektet e hidrocentraleve rrezikojnë zonat e mrekullueshme me potencial të madh turistik, sikurse Luginën e Valbonës ose Vjosën. Si mund të vlerësohet me pikë, puna e Qeverisë Rama, në fushën e mjedisit ? 

B.B. : Asnjë. Nuk kam vërejtur ndonjë veprim qeveritar që synon mbrojtjen e mjedisit. Ligji për importimin e plehrave flet mjaftueshëm. Iniciativat janë të rralla dhe të papërshtatshme. Sa i përket projekteve të hidrocentraleve, duhet gjetur një barazpeshë midis prodhimit të energjisë dhe mbrojtjes së natyrës. Qeveria nuk ka asnjë strategji për këtë çështje.

CdB : Keni deklaruar se Rama po e degradon demokracinë. A është kjo kritikë vetëm për funksionimin e brendshëm të Partisë Socialiste ?

B.B. : Një nga arsyet e largimit tim është që sipas statuteve të partisë, zgjedhjet e brendshme duhen të zhvillohen për çdo katër vjet. Ne kemi patur zgjedhjet tona të fundit më vitin 2009. Që shtatë vjet. Mund ta paramendoni PS në Francë pa zgjedhje të brendshme. Ky është funksionimi i të gjitha partive politike normale në Evropë. Kur kam vendosur të paraqitem në zgjedhjet e brendshme të partisë, Edi Rama deklaroi se nuk do ketë zgjedhje. Në vend të tyre, ai ka organizuar një referendum për vetën e tij. A do të mund ta bëntë këtë François Hollande ? Demokracia e partive është një nga themelet e sistemit tonë. Nëse ato nuk janë demokratike, kjo mund të shpie në më të keqën.

CdB : Sa keni marrë mbështetje brenda PS që nga largimi i juaj ? Çfarë force politike dëshironi të përfaqësoni ?

B.B. : Shumë socialistë kanë ardhur të më takojnë dhe duan të më bashkëngjitën. Do ta themelojmë një projekt të ri politik, me të pakënaqurit e të gjitha partive, të së majtës dhe të së djathtës. Edi Rama ka rrëhsqitur aq shumë në të djathtë, që nënkupton se do të jemi në të majtën e tij.

Cdb : Edi Rama ka vazhduar shumë reforma të ndërmarra nga Qeveria Berisha. Sikurse në vendet e tjera evropiane, ku dy partitë kryesore qeverisëse duken së afruari, një politikë vërtetë e majtë është e mundshme në Shqipëri ?

B.B. : Sigurisht. Kriza financiare të këtyre dhjetë viteve të fundit ka treguar se e majta përgjigjet më mirë mbi çështjet e koncentrimit të pushteteve dhe të parasë, varfërisë dhe arsimit. Një nga problemet më të mëdha të Shqipërisë është barazia e shanseve, e cila duhet të garantohet nga shteti dhe drejtësia.

Cdb : Shqipëria është sot zyrtarisht kandidate për anëtarësim në BE. Cila është hapësira e saj vepruese?

B.B. : Nuk mendoj se BE ose SHBA na obligon të importojmë plehra, të mundësojmë hyrjen e kriminelëve në kuvend apo ta rrisim borxhin tonë publik për 10%. Ata nuk vendosin për politikën tonë. Nëse shikojmë Greqinë, ajo ka njohur një situatë ekonomike skajshmërisht të vështirë gjatë këtyre viteve të fundit, por grekët nuk emigrojnë  sikurse shqiptarët. Ata shpresojnë se situata e tyre do të përmirësohet viteve në vijim. Qytetarët tanë nuk e kanë këtë shpresë. Ata ikin, sepse nuk shohin ardhmëri.

(http://www.courrierdesbalkans.fr/articles/albanie-le-requisitoire-sans-appel-d-un-socialiste-dissident-contre-edi-rama.html)

Shpërndaje në: