S’i jep minuta, por edhe s’e dërgon në huazim, Juventusi e mban ‘peng’ Zhegrovën
Sulmuesi dhe ylli i kombëtares së Kosovës, Edon Zhegrova u transferua me shumë bujë te Juventusi gjatë merkatos së verës së vitit të kaluar.
Në ditën e fundit të afatit kalimtar të verës, Juventusi pranoi të paguajë 15.5 milionë euro plus pesë të tjera në bonuse për yllin dardan në drejtim të Lille.
Qysh nga fillimi pati dyshime rreth minutazhës që do të merrte Zhegrova – fillimisht shkaku i lëndimit që e kishte mbajtur jashtë fushave për tetë muaj dhe së dyti, edhe për faktin që në pozitën e tij, Juventusi kishte paguar 32 milionë euro për Francisco Conceiçao nga Porto.
Zhegrova, megjithatë e kishte marrë seriozisht ‘sfidën’ për të hyrë në formacionin startues të Igor Tudorit – ish-trajnerit të Juventusit në atë fillimsezon – madje duke e refuzuar Kosovën që të qëndronte në Torino dhe të ambientohej më shpejt për “Zonjën e Vjetër”.
Mirëpo, minutat nuk po vinin për majtakun e Kosovës. Fajësohej Igor Tudor se nuk po e fuste shpesh në lojë, mirëpo i njëjti ‘trajtim’ e priti Zhegrovën edhe nën udhëheqjen e Luciano Spallettit, trajnerit aktual të Juventusit.
Deri më tani, Zhegrova ka vetëm një ndeshje si startues, atë ndaj Pafosit në Ligën e Kampionëve, ku luajti vetëm në pjesën e parë, e më pastaj u zëvendësua pa lënë asnjë shenjë në fushën e lojës.
26-vjeçari ende nuk ka asnjë asistim e asnjë gol me fanellën e Juventusit.
Sipas vetë trajnerëve të Juventusit, por edhe asaj çka raportonin mediumet italiane, arsyeja që Zhegrova nuk po merr minutat e duhura është shkaku se nuk është i përgatitur si duhet fizikisht.
Mirëpo, përveç kësaj, Spalletti pati edhe një arsye tjetër se pse nuk mund të llogaritë nganjëherë në Zhegrovën.
Në fitoren 2-1 të Juventusit ndaj Romës me 20 dhjetor 2025, Zhegrova luajti për 30 minuta, duke pasur një paraqitje të ‘përzier’. Ylli dardan e krijoi golin e dytë të Juventusit, të cilin e shënoi Lois Openda, mirëpo gaboi te goli i Romës, që u shënua nga Tommaso Baldanzi.
Pas ndeshjes, Spalletti tha se Zhegrova nuk di si të mbrohet, dhe se kjo mund të jetë një pikë e dobët për Juventusin.
“Zhegrova nuk mund ta bëjë këtë; ai nuk e di si. Nëse e fut në mesfushë, ai nuk ka ato cilësi. Por nëse e vendos në një pozicion për të luajtur një kundër një në 20 metrat e fundit, ai bëhet vdekjeprurës.
“Problemi është gjithmonë i njëjtë: nëse unë mund të mbaj topin dhe ta lejoj të sulmojë në ato 20 metra të fundit, është në rregull, por nëse nuk mundem, ai e paguan çmimin. Ai nuk do ta bëjë kurrë këtë në mënyrë të qëndrueshme; defensivisht, bëhet i paqëndrueshëm, sepse thjesht nuk ka ato karakteristika.”
“Zhegrova nuk e di si të mbrohet – nuk e di kur të dalë, kur të presë kundërshtarin apo kur të bëjë një ndërhyrje. Një ekip si Roma ka një identitet të qartë, por gjithmonë do të përpiqet të shfrytëzojë dobësitë”, kishte thënë ai.
E, duke parë minutazhën e limituar, çdokush që e di situatën e tij, shpresonte që Zhegrova do të bënte një ‘zgjidhje’ në afatin kalimtar të janarit – qoftë ajo edhe e përkohshme, e tipit të një huazimi.
Sipas raportimeve nga Anglia, tashmë edhe nga Italia, dy klube angleze – ndër to Evertoni – ishin interesuar për shërbimet e Zhegrovës në formë huazimi, por që “Zonja e Vjetër” ka qenë e prerë me vendimin e saj: Zhegrova nuk largohet.
Yllit dardan i mbetet të shpresojë në më shumë minuta në pjesën e mbetur të sezonit, mirëpo një largim i përkohshëm nga Juventusi do t’i bënte mirë edhe atij, edhe klubit.
Zhegrova ka rënë poshtë në hierarkinë e sulmit, me Spallettin që shpesh para tij e inkuadron Filip Kosticin në anën e djathtë të sulmit, i cili pozitën natyrale e ka në anën e majtë të mbrojtjës/mesfushës/sulmit.
Zhegrovës i duhet minuta në këmbët e tij, pasi ndryshe ai s’mund të rikthehet në formën e dikurshme – të atij gjashtëmujorshit të parë të sezonit 2024/25 – kur shkëlqente ndaj Real Madridit e ndaj Juventusit në Ligën e Kampionëve.
Një Zhegrovë në formë, tash më shumë se kurrë i duhet edhe kombëtares së Kosovës.
“Dardanët” kanë nevojë për magjinë e Zhegrovës në muajin mars, kur Kosova do të luajë ndaj Sllovakisë si mysafire në kuadër të gjysmëfinales së “play-offit”, për kualifikim në Botërorin e 2026-ës, që luhet në ShBA, Kanada dhe Meksikë.
Zhegrova këtë sezon ka zhvilluar 16 ndeshje në të gjitha garat me Juventusin, duke luajtur vetëm 319 minuta.
Anësori dardan ka kontratë me Juventusin deri në qershor të vitit 2030./Periskopi/



