S’i plotësuan as kriteret bazike: Kandidati i eliminuar kritikon procesin ku u listuan dy njerëz të VV’së për Kryekadastër

S’i plotësuan as kriteret bazike: Kandidati i eliminuar kritikon procesin ku u listuan dy njerëz të VV’së për Kryekadastër

Procesi i rekrutimit për pozitën e drejtorit të Agjencisë Kadastrale të Kosovës tashmë është në finalizim e sipër. Të enjten, Ministria e Punëve të Brendshme ka shpallur rezultatet e pikëve të tre kandidatëve në listën e ngushtë për këtë post. Siç ka raportuar Periskopi gjatë ditës së djeshme, bëhet fjalë për dy njerëzit e Vetëvendosjes, Nora Kelmendin dhe Edon Maliqin, si dhe kandidatin me më së shumti pikë, me emrin Suad Çmegaj. Në proces, gati deri në fund ishte edhe kandidati tjetër Faik Kelmendi, por që në fund nuk u përzgjodh në këtë rreth…

Lexo detajet: https://www.periskopi.com/vv-drejt-kapjes-se-radhes-dy-njerez-te-saj-ne-listen-e-ngushte-per-kryekadaster-te-shtetit-dok/

Në testimin me shkrim, u rendit me pikë më shumë se sa kandidatja e partisë në pushtet,  Nora Kelmendi. Megjithatë nuk arriti të hyjë në listën e ngushtë. Faik Kelmendi ka treguar për Periskopin përshtypjet e tij rreth procesit, duke theksuar se kundër-kandidatët e tij nuk kanë plotësuar as kriteret e kërkuara.

‘’Sipas hulumtimeve apo informacioneve që i kam marr, del që kandidatët nuk i kanë plotësuar as kriteret bazike për me apliku në konkurs. Me shkrim kandidati i parë ka dal Edoni, unë i kam pasë 38.04 kam qenë i treti, kandidatit i dytë ka qenë 38. 07 Suadi dhe kemi qenë shumë afër më pikë. Mas meje ka qenë Nora me 37 pikë e diçka.’’, ka thënë Faik Kelmendi.

Ai pretendon se Suad Çmegaj dhe Edon Maliqi nuk kanë as përvojë në udhëheqje, siç është kërkuar në konkurs.

‘’Sa i përket këtyre dy të tjerëve nuk e di çka kanë udhëheqë sepse është dashtë me pas një përvojë në udhëheqje. Vec me një hulumtim nëse e bën firmat e tyre që i kanë i shohim që kanë biznesin individual dhe kanë qenë të vetpunëzuar dhe unë aty nuk e di qysh e kanë kalu pragun me hy në listë. Nëse e merr e sheh konkursin i sheh kriteret që janë kërku, është dashtë me pasë 5 vjet përvojë në udhëheqje, por jo me kanë i vetëpunësuar edhe udhëheqës se atëherë nuk është udhëheqje. ‘’

Tutje Kelmendi është shprehur i dëshpëruar, pasiqë ka 21 vjet që punon në Agjencinë Kadastrale të Kosovës dhe siç thotë, ka kualifikimin e kërkuar.

‘’Po unë i dëshpëruar jam, sepse kam prit që me përvojën që e kam në institucion që nga viti 2002 edhe kom prit që me kanë edhe për veti i suksesshëm edhe me marr me zhvillu kadastrën. Sipas meje asnjë kandidatë nuk kanë njohuri më shumë sepse shumica nuk kanë punu as në zyret kadastrale. Nëse e merr e sheh CV janë kanë të vetëpunësuar në  kompanitë e tyre private.’’

‘Bash askush s’më bën konkurrencë’ – Flet anëtari i VV’së, në listën e ngushtë për kryekadastër të shtetit

Në listën e ngushtë të vlerësimit për drejtor Ekzekutiv në Agjencinë Kadastrale të Kosovës është edhe anëtari i Vetëvendosjes, Edon Maliqi. Ai është renditur menjëherë pas bashkëpartiakes së tij, Nora Kelmendi për këtë pozitë.

Anëtari i Vetëvendosjes,Edon Maliqi në një deklaratë për Periskopin mendon se në Kosovë, askush nuk mund t’i bëjë konkurrencë për gjeodezi.

”Ne jemi në Vetëvendosje, të paktën unë për vete. Por para se me qenë në Vetëvendosje, unë jam doktor shkence në këtë fushë edhe e kam një CV të begatë për atë pozicion. Po të mos mendoja që jam më i kualifikuari, unë nuk isha fut në konkurs. Përgjigja ime është që në Kosovë askush nuk mund të më bëjë konkurrecë për qet pozitë. Ama bash askush. Unë kam projekt për me avancu institucionin. Ai institucion është në një gjendje të mjerueshme, për fatin e keq edhe unë i kam kapacitetet, idetë,.. Unë s’kam hi me provu, unë e kam ditë në fakt, kjo për mu është edhe një test për shtetin.’’

Tutje Maliqi dyshon për korrektësinë në intervistimin verbal të kandidatëve, duke aluduar se ishte super i suksesshëm në testin me shkrim, krahas kundër-kandidatëve.

‘’Testi me shkrim është organizu në mënyrë korrekte, transparente dhe ka një sistem kompjuterik që ne ju kemi nënshtru. Vlerësimi me shkrim për mua mbetet 100 për qind korrekt, vlerësimi në intervistë pa dashtë me thënë se kam qenë më i miri, por është vlerësim subjektiv. Atij ia jep 8 pikë, ty t’i jep tre pikë. Edhe kjo është përshtypje personale, por me shkrim, kam arritur 92 përqind ta mbushë testin  e aftësive të përgjithshme. Kisha preferu me bë një hulumtim, a ka arritë deri tash në konkurse publike 45.8 pikë në test me shkrim.’’, përfundon Maliqi për Periskopin.

Pozita e AKK’së, kundër-kandidati për Kelmendin e VV’së: Një ekonomiste s’mund ta marrë këtë post

Suad Çmega, kandidati me më së shumti pikë nga vlerësimi i testit me shkrim dhe atij verbal për pozitën e drejtorit Ekzekutiv në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, në një deklaratë për Periskopin ka treguar se do i shkojë deri në fund garës dhe se nuk i sheh rrezik dy kundër-kandidatët tjerë, të cilët në fakt vijnë nga radhët e partisë në pushtet, Vetëvendosjes.

Çmega është deklaruar se e konsideron veten si më profesionist për këtë pozitë.

I pyetur nëse ndjehet i rrezikuar  nga dy kundërkandidatët që  i përkasin partisë në pushtet, ai thotë:

‘’ Unë absolustisht nuk ndihem i rrezikuar nga dy kandidatët tjerë sepse mendoj që për këtë pozitë jam më i miri.’’

Tutje ai vlerëson se Nora Kelmendi, si ekonomiste nuk do të duhej të merrte një pozitë të tillë.

‘’Për me u marrë me tema të gjeodezisë, e logjikshme është me qenë gjeodez sepse ashtu i njeh këto probleme. Sa i përket që Nora Kelmendi është ekonomiste, është problem i saj por kjo po i bie si unë me pasë konkurru në ndonjë pozitë të financave. E çka di unë për financa, nuk di asgjë apo pak thjeshtë. Kushdoqoftë të jetë kryeshef, e udhës është të ishte gjeodez. Nëse me të vërtetë do shteti me i zgjidhë problemet e gjeodezisë, duhet me marrë një gjeodez, qoftë unë apo dikush tjetër.’’, shton Çmega për Periskopin.

Nga aludimet nëse do tërhiqej nga gara për t’ia lëshuar pozitën Kelmendit, për ndonjë interes të caktuar, duke qenë se është pronar i kompanisë Gjeo-projekt, ai thotë:

‘’Unë do t’i shkoj garës deri në fund, por e përsërisë që edhe Nora është e nevojshme sepse ka përvojë nëpër drejtori, edhe me u zgjedh unë kryeshef, më duhet edhe bashkëpunimi i saj i mëtejmë.’’, shtoi Çmega./PERISKOPI/

 

 

 

Shpërndaje në: