Sindikata e Policisë e zhgënjyer nga Qeveria: Nga 14 kërkesa pret që deri në qershor të realizohet vetëm një

Sindikata e Policisë e zhgënjyer nga Qeveria: Nga 14 kërkesa pret që deri në qershor të realizohet vetëm një

Prej 14 kërkesave të Sindikatës së Policisë së Kosovës, vetëm një prej tyre është afër të realizohet, raporton Periskopi.

Kryesindikalisti i Policisë, Imer Zeqiri në një prononcim për Periskopi ka dhënë detaje të reja nga takimi që ka mbajtur javën e kaluar me Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Ai tha se kërkesa për pagesën e udhëtimit të pjesëtarëve të policisë shpresojnë të realizohet deri në muajin qershor.

Ndërsa kërkesat e tjera, si ajo e pensionimit, e për sigurime shëndetësore janë në proces e sipër, që sipas Zeqirit nuk iu ka dhënë ndonjë afat kohor.

“Ne vetëm i diskutuam, për punën e ligjit për pensionim, dhe për punën e ligjit për sigurime shëndetësore janë duke punuar, nuk kanë caktuar ndonjë afat kohor, ndërsa për transport të pjesëtarëve deri në muajin qershor po shpresojmë që do të bëhet kjo, mandej folëm edhe për një kërkesë që e kanë dërguar drejtori ose menaxhmenti policor për staf deficitar, na thanë që është formuar një komision qeveritar dhe është duke punuar në atë drejtim. Në fakt nuk kemi ndonjë afakt të caktuar për kërkesat, përpos transportit që përmenda në qershor”, u shpreh ai për Periskopin.

Arsye për takimin mes tyre janë 14 kërkesat e Sindikatës së Policisë për përmirësimin e kushteve në këtë institucion të sigurisë.

Këto janë kërkesat e sindikatës së shpalosura edhe në protestën e fundit të tyre para qeverisë.

“1. Përmirësimi i kushteve të punë në përgjithësi, siç janë, veshmbathjet, mjetet e punës, mjetet logjistike, objektet policore duke pasur parasysh se disa objekte policore dhe automjete, si dhe pajisje tjera të domosdoshme për kryerjen e detyrave zyrtare, nuk i plotësojnë kushtet minimale për punë.
2. Rrezikshmëria për zyrtarët policorë të jetë permanente dhe mos të varet vetëm nga një vend apo lokacion i caktuar, si dhe kërkojmë që shtesa për rrezikshmëri në punë të jetë nga 25 deri në 50% e pagës bazë dhe të formohet një komision që do të bëjë rivlerësimin e nivelit dhe kategorizimin e shtesave për rrezikshmëri.
3. Përfshirja e njësive të caktuara në shtesën për kushte të tregut të punës.
4 ligji për pensionim në moshën 55-vjeçare, e njëjtë me ligjin e FSK-së.
5. Sigurimi jetësor dhe rritjen e fondit në buxhetin e policisë për shërbimet shëndetësore me qëllim të mbulimit të shpenzimeve për barna dhe shërbime tjera.
6. Invaliditeti i pjesëtarëve të PK-së të cilët janë lënduar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, kërkojmë të krijohet një fond apo caktohet një shumë e mjeteve financiare për shkallën e invaliditetit.
7. Përfshirja e stafit civil në shtesën për punë specifike.
8. Shujta ditore për të gjithë pjesëtarët e policisë së Kosovës, për të gjithë e barabartë.
9. Pagesa e udhëtimit për ata që udhëtojnë larg nga vendbanimi deri në punë.
10. shtesa për fundvit e vlerës së një page për të gjithë ata që kanë treguar performancë të mirë gjatë tërë vitit.
11. Rikthimi i përvojës së punës për vite në 0.5 siç ka qenë, po ashtu edhe njohja e kualifikimit shkollor.
12. Të rikthehen tri pagat përcjellëse për zyrtarët që pensionohen.
13. Të lejohet një pagë për të gjithë pjesëtarët e policisë që mund të kenë një rast vdekje në familjen e ngushtë, dhe
14. Përkujdesja për mirëqenien e familjeve të pjesëtarëve të policisë së Kosovës që kanë humbur jetën gjatë kryerjes së detyrës zyrtare apo janë lënduar. Si psh, shkollimi i fëmijëve, punësimi i njërit nga fëmijët apo anëtarë nga familja e ngushtë, sigurimi i vendbanimit nëse nuk kanë./Periskopi

Shpërndaje në: