S’ka konsensus për dalje nga kriza, PDK-ja e LDK-ja kritikojnë Kurtin

S’ka konsensus për dalje nga kriza, PDK-ja e LDK-ja kritikojnë Kurtin

Ka përfunduar takimi në mes liderëve politikë, ku temë diskutimi ishte tejkalimi i ngërçit politik. Njëjtë si 38-të seancat konstituive, edhe ky takim pati fatin e njëjtë pasi rezultoi pa konsensus, raporton Periskopi.

Takimi zgjati për më tepër se dy orë, ku pjesë e tij ishin të gjithë përfaqësuesit e partive politike.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, e ka cilësuar aktrim takimin e ftuar nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për dalje nga kriza parlamentare pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Krasniqi ka vlerësuar se takimi ka rezultuar i pasuksesshëm.

“Takimi që u ftua nga Kurti për të aktruar mbushjen e një obligimi që aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ia jep për konsultime në mirëbesim dhe përgjegjësinë për të gjetur kompromis, rezultoi i pasuksesshëm sepse situata s’është e njëjtë, por Kurti është i njëjtë”, ka thënë ai.

Krasniqi është ankuar në qëndrimin e Lëvizjes Vetëvendosje për votimin e komisionit për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit.

Ai ka thënë se po që se votohet të nesërmen për komision për votim të fshehtë, deputetët do të bëjnë shkelje të qartë kushtetuese.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se në takimin e ftuar nga kreu i VV-së, Albin Kurti, morën pjesë me qëllim të mirë dhe për të parë e gjetur zgjidhje për ngërçin politik.

Ai tha se në takim morën pjesë me drojën më të madhe se i gjithë ky takim ishte më tepër një farsë publike sesa substanciale, dhe sipas tij, droja e tyre u vërtetua në këtë takim.

“Fatkeqësisht droja jonë u vërtetua në këtë takim, meqenëse se qëndrimet e deputetit Kurti ishin pak a shumë ato që kanë qenë deri më tani dhe as nuk e respektonin dhe as s’e interpretonin njëjtë vendimin e Kushtetueses edhe për votimin e fshehtë dhe për çështjen e përgjegjësisë që i takon atij”.

“Me lejoni të theksojë se për LDK-në, përgjegjësia për krijimin e shumicës i takon Kurtit, me paragrafin 130 të aktvendimit të Kushtetueses. Kurti e pranoi që s’ka shumicë por kërkoi kushtëzime në pozicionet paraprake që i ka pasur deri më tani”, tha Abdixhiku.

Tutje, Abdixhiku tregoi se kushtëzimet e Kurtit janë që ose të votohet në mënyrë të fshehtë ose të rrëzohet votimi i fshehtë duke e votua Albulena Haxhiun sërish si kryetare të kuvendit.

“Dhe më pas një ndërlidhje e përçudnuar e votimit për kryetar të kuvendit me nënkryetarë të kuvendit. Moslëvizja nga këto pozicione, e bën fatkeqe gjendjen e tanishme politike”.

“Mos harroni që tani e kemi një aktgjykim të Kushtetueses dhe mosrespektimi i saj, për LDK-në është hap i parë në përmbysjen e rendit kushtetues”, tha Abdixhiku../Periskopi/

Shpërndaje në: