S’ka shqiptarë në mesin e viktimave nga zjarri në Bronx

S’ka shqiptarë në mesin e viktimave nga zjarri në Bronx

Asnjë shqiptar nuk është i përfshirë në mesin e 19 viktimave, duke përfshirë nëntë fëmijë, që vdiqën nga zjarri i djeshëm që e kaploi një ndërtesë në Bronx të New Yorkut.

Këtë e ka bërë të ditur për Klan Kosovën Zyrtarja e Politikave Ligjore në Këshillin Bashkiak të New Yorkut, Vera Mjeku, e cila tha se në këtë objekt nuk ka jetuar asnjë shqiptar, ani se Bronxi është një nga zonat më të banuara me shqiptarë.

“Megjithëse, zona e Bronksit është një nga zonat me numrin më të madh të shqiptaro-amerikanëve, zona dhe ndërtesa e përfshirë nga zjarri janë strehe e komuniteteve afrikano-amerikane, sidomos nga Gambia dhe atyre hispanike sipas raporteve të menjëhershme”.

Mjeku ka dhënë më shumë detaje lidhur me këtë tragjedi shkak i së cilës besohet të jetë një nxehëse elektrike e cila nuk ka funksionuar si duhet.

“Tragjedia në New York ku 19 persona humbën jetën në një zjarr që përfshiu një godinë shumëkatëshe në Bronks mendohet të jetë nga më të rëndat në historinë moderne të qytetit dhe ka ndodhur nga keqfunskionimi i një nxehëse elektrike dhe shpërndarja e zjarrit, mungesa e oksigjenit nëpër aparate dhe korridoret e ndërtesës sipas autoriteteve të qytetit të New Yorkut”.

“Një tragjedi e përmasave të tilla dhe skenat rrëqethëse të zjarrit dhe zjarrfikësve duke shpëtuar shumë banorë dhe fëmijë, kanë bashkuar të gjithë autoritetet e larta si Guvernatoren Kathu Hochul, Majorin Eric Adams, Senatorin Chuck Schumer, përfaqësues lokal si dhe ka sensibilizuar të gjithë qytetarët të cilët janë solidarizuar për t’u ardhë në ndihmë këtyre familjarëve nëpërmjet një fondi të ngritur për ndihma nga Majori i New Yorkut”.

Ajo bëri të ditur se mbi 60 të lënduar nga ky zjarr po trajtohen në spitalet lokale, ndërsa të gjitha familjet e prekura janë akomoduar në ambiente të përkohshme.

Ndërkaq, konsullata e Përgjithshme e Kosovës në New York në një njoftim të disa orëve më parë tha se ende nuk dihet nëse në mesin e viktimave në Bronx ka shqiptarë, pasi ende nuk është konfirmuar identiteti i viktimave.

“Të prekur thellë nga tragjedia e sotme në Bronks të Neë Yorkut. Zjarri, i cili kaploi një ndërtesë banimi, la të vdekur 19 persona, 9 prej tyre fëmijë. Identiteti i viktimave akoma nuk është konfirmuar. Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Nju-Jork është në kontakt me autoritetet lokale dhe, deri më tani, nuk kemi informatë nëse ndonjë shtetas ynë ka pësuar në këtë tragjedi”, thuhet në njoftimin e kësaj konsullate në Facebook.

Shpërndaje në: