Skandaloze: Zvicra alarmon për produktin helmues që po shitet në Kosovë, institutcionet heshtin

Skandaloze: Zvicra alarmon për produktin helmues që po shitet në Kosovë, institutcionet heshtin

Shteti helvetik, Zvicra, ka alarmuar autoritet kosovare për një krem fytyre që prodhohet në Kosovë e që përbën rrezik për shëndetin e njerëzve. Zyra Federale e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë e Zvicres e  ka njoftuar Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë të Kosovës që të ndërmerr masa  që të mos rrezikojë shëndetin e njerëzve. Periskopi ka siguruar dokumentet dhe detajet e këtij skandali që shteti i Kosovës po e mban sekret. Në shkresën zyrtare të autoriteteve zvicerane kërkohet të merren masa urgjente. Produkti është një krem fytyre i një kompanie kosovare e që sipas shkresës përmban sasi të madhe të merkurit e që është e rrezikshme për shëndetin e njerëzve.

Zyra Federale e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë e Zvicrës i ka kërkuar Kosovës, gjegjësisht Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës që ta tërheq nga tregu një produkt krem për fytyrë për shkak se përmban sasi të lartë të merkurit. Kjo për shkak se një paciente e kishte blerë kremin e fytyrës në Kosovë dhe ishte helmuar duke u detyruar të kërkonte ndihmë mjekësore në Zvicër.

Pacientja u trajtua në Spitalin Universitar të Cyrihut për këtë problem shëndetësore, e ky spital njoftoi autoritetin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare që të ndërmerr masa urgjente ndaj këtij produkti.

Në shkresën e parë që e ka siguruar Periskopi spitali alarmon për kremin e fytyrës duke shpjeguar se pacientja ka pasur komplikime shëndetësore për shkak të përmbajtjes së lartë të merkurit, jashtë normave të lejuara.

“Dëshirojmë t’ju informojmë mbi një rast të helmimit nga mërkuri, i cili lidhet me përdorimin e një kremi fytyre të blerë jashtë vendit. Në repartin tonë kemi trajtuar një paciente, e cila pas përdorimit të përditshëm të këtij kremi fytyre ka zhvilluar komplikime nefrologjike mjeksore.  Përmbajtja e merkurit në këtë krem ishte jashtëzakonisht e lartë, me 380,000 mg/kg, shumë mbi vlerat e pranueshme. Fillimisht, rasti u raportua te Swissmedic, por nuk u ndoq më tej, pasi nuk bëhej fjalë për një produkt të blerë në Zvicër. Përfundimisht, kolegët e Swissmedic na sugjeruan të iu kontaktonim. Pacientja e kishte blerë kremin në Kosovë – detajet e tjera nuk i kemi të njohura. Sidoqoftë, këtë krem mund ta gjeni përmes lidhjes së mëposhtme në Facebook: Natural Creme Kosovo Facebook”, thuhet në shkresën që e ka siguruar Periskopi.

Spitali ku ishte trajtuar pacientja kërkon nga autoritetet zvicerane që t’i kërkohet Kosovës që produktin ta largojë nga tregu sepse përbën rrezik serioz për përdoruesit, duke shpresuar se do të mbrohen njerëzit që mund të jenë të ekspozuar ndaj një  produkti të tillë.

“Nuk kemi njohuri për raste të ngjashme në Zvicër, por janë raportuar disa raste me burime ekspozimi të ngjashme. Ne do të dëshironim ta raportonim rastin te autoritetet kosovare, pasi ekziston qartë një rrezik shëndetësor. Meqenëse nuk kemi kontaktet e duhura, po ju drejtohemi juve dhe ju lutemi ta përcillni këtë çështje më tej. Shpresojmë që të na ndihmoni dhe të mbrojmë njerëzit që mund të jenë të ekspozuar ndaj një rreziku të tillë shëndetësor”, thuhet në shkrsën e spitalit.

Pas shkresës së spitalit Zyra Federale e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë e Zvicrës njoftoi Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë përmes një shkrese zyrtare, duke i kërkuar që të merren masa ndaj kremit të fytyrës.

“Zyra Federale për Sigurinë Ushqimore dhe Veterinare është informuar nga departamenti i farmakologjisë klinike dhe toksikologjisë në Spitalin Universitar në Cyrih për një problem shëndetësor që ka të bëjë me kremin e fytyrës që është prodhuar në Kosovë. Prandaj dëshirojmë t’ju informojmë që të merren masat e nevojshme. Pacienti e ka blerë kremin në Kosovë – nuk dimë detaje të tjera. Megjithatë, kremi mund të blihet në lidhjen e mëposhtme në Facebook: Krem natyral-Kosova-Facebook”, thuhet në shkresën zyrtare të Zvicrës që e ka siguruar Periskopi.

Autoritetet kosovare e mbajnë fshehur skandalin

Institucionet e Kosovës janë përgjegjëse në rastet kur një produkt përbën rrezik për shëndetin të njoftojnë qytetarët dhe produkti të largohet nga tregu. Kjo nuk ka ndodhur me kremin e fytyrës që i ka alarmuar Zvicra. Faqja e kompanisë ende vazhdon të shes produkte dhe është funskionale. Bazuar në Ligjin për Ushqimin  NR. 08/L-120 Neni 6, obligon institucionet shtetrore që t’i njoftojnë qytetarët për rrezikun e një produkti, përfshirë këtu edhe produkteve kozmetike.

“Neni 6 Komunikimi i rrezikut 1. Komunikimin e rrezikut e bënë Agjencia me qëllim që me kohë të sigurohen informata objektive, reale dhe të qarta lidhur me Hazardin dhe rrezikun në ushqimin dhe ushqim për kafshë dhe e njofton: 1.1. Qeverinë e Republikës së Kosovës; 1.2. Ministrinë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural; 1.3. Ministrinë e Shëndetësisë; 1.4. Bizneset qe operojnë me ushqim ose ushqim të kafshëve; 1.5. Konsumatorët, dhe 1.6. Institucionet relevante dhe palët me interes”, thuhet në ligj.

Ky njoftim i institucioneve të Kosovës ende nuk ka ndodhur, përkundër që informata është tashmë zyrtare dhe ka shkuar tek autoritetet kosovare.

Periskopi ka pyetur edhe Doganën e Kosovës se a ka ndaluar këtë produkt që të eksportohet meqë informata zyrtare nga Zvicra ka ardhur, mirëpo deri në publikimin e këtij shkrimi nuk kemi marrë përgjigje.

Periskopi ka telefonuar edhe kompaninë Natural Creme në numrin që gjendet në llogarinë e tyre në Facebook, por të njëjtin nuk janë përgjigjur.

Kujtojmë, se në Kosovë nuk ka laborator që kryen analiza për produkte kozmetike që gjenden në treg. Qytetarët e Kosovës në mungesë të laboratorit rrezikohen nga produktet të pa kontrolluar që mund të gjenden nëpër tregje./Periskopi/

Shpërndaje në: