Smakiqi: Kurti nuk do ta respektojë aktgjykimin e Kushtetueses, pas 30 ditësh Presidentja do të thërras partitë për caktimin e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme
Gjykata Kushtetuese përmes një aktgjykimi të publikuar të enjten ka urdhëruar deputetët që ta konstituojnë Kuvendin në një afat prej 30 ditësh nga dita e sotme, shkruan Periskopi.
Lidhur me aktgjykimin e sotëm të Kushtetueses, për Periskopin është deklaruar avokati i njohur kosovar Xhevdet Smakiqi.
Smakiqi i ka thënë Periskopit se nuk beson që Albin Kurti do ta zbatojë këtë aktgjykim, e që sipas tij pas 30 ditësh nëse nuk respektohet vendimin Presidentja do të thërras partitë për caktimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
“…Nuk besoj që Albin Kurti do ta zbatoj aktgjykimin e sotëm të Gjykatës Kushtetuese, prandaj pasojat jane pas 30 ditësh. Nga nesër 27.06.2025 deri 27.07.2025, që nese nuk konstituohet Kuvendi i Kosovës, Presidentja e Republikës se Kosovës fton partitë politike të caktojë datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme. E që nuk duhet të jetë e njëjtë me daten e zgjedhjeve lokale për arsye logjistike teknike që KQZ nuk mund të organizojë në mënyrë efektive dy palë zgjedhje për një datë.”, tha ai.
Sipas avokatit ky bllokim i sajuar është kryevepra më anarkiste e Kurtit dhe që sipas tij me këtë vendim ai nuk do të ketë më hapësirë për t’u tallur me vlerat, parimet, dispozitat dhe afatet kushtetuese.
“…Këtë bllokim të sajuar të konstituimit të Kuvendit të Kosoves e konsideroj kryeveprën më anarkiste të Albin Kurtit…Prandaj Albin Kurti si bllokues i konstitumit të Kuvendit të Kosovës nuk ka më tutje hapësire manovruese për tu tallur me vlerat parimet, dispozitat, afatet kushtetuese…”, u shpreh Smakiqi për Periskopin.
Tutje Smakiqi theksoi se afati 30 ditor ka qenë detyrues që nga senaca e parë konstituive.
“…Kam ritheksuar me bindje profesionale juridike se dispozitat Kushtetuese neni 66 dhe 70, dhe rregullorja e Kuvendit të Kosovës neni 7 dhe 12 kanë qenë të qarta si kristal ashtu që afati 30 ditor ka qenë detyrues nga seanca e parë konstituive qe të përmbyllej zgjedhja e kryetarit dhe kryesisë së Kuvendit të Kosovës. Aktgjykimi i sotem është definifiv i qartë si kristal dhe se ky afat detyrues 30 ditorë do të llogaritet prej ditës së publikimit, aktgjykimit që është bërë sot…”, ka shtuar ai.
Kujtojmë se dje ka dështuar edhe seanca e 37’të.
Ndryshe rregullorja e punës obligon deputetët të mblidhen çdo dy ditë për seancën konstituive, e cila konsiderohet e mbyllur pas zgjedhjes së kryesisë. Si rrjedhojë, Kuvendi po mban mbledhje çdo dy ditë tash e më shumë se 70 ditë./Albina Zariqi-PERISKOPI/
Gjykata Kushtetuese merr vendimin: Për 30 ditë duhet të përfundojë seanca konstituive



