Spanja drejt ndalimit të pijeve energjike për nën 16 vjeç

Spanja drejt ndalimit të pijeve energjike për nën 16 vjeç

Spanja pritet të ndalojë shitjen e pijeve energjike për të miturit nën 16 vjeç dhe të kufizojë produktet me përmbajtje të lartë kafeine për personat nën 18 vjeç. Lajmi u bë i ditur nga ministri i Çështjeve të Konsumatorit, Pablo Bustinduy.

Sipas rregullores së re, pijet energjike do të ndalohen plotësisht për fëmijët nën 16 vjeç, ndërsa produktet që përmbajnë më shumë se 32 mg kafeinë për 100 ml nuk do t’u lejohen as të rinjve nën 18 vjeç. “Është vërtetuar shkencërisht se këto pije përbëjnë një rrezik për shëndetin e të rinjve”, u shpreh Bustinduy.

Të dhënat nga anketa “ESTUDES 2025” e Ministrisë së Shëndetësisë tregojnë se 38.4% e nxënësve 14–18 vjeç kanë konsumuar pije energjike gjatë muajit të fundit, me përqindje më të lartë te djemtë.

Sipas Agencia Española de Seguridad Alimentaria y Nutrición (AESAN), 25% e popullsisë konsumon pije energjike mesatarisht 2.1 herë në javë, ndërsa 47% e konsumatorëve i përziejnë ato me alkool, çka rrit rrezikun e dehjes dhe problemeve kardiovaskulare.

Tregu ka shënuar rritje të ndjeshme: në vitin 2025 u blenë 105 milionë litra, 13.7% më shumë se një vit më parë, me shitje që i afrohen 300 milionë eurove.

Me këtë vendim, Spanja i bashkohet vendeve si Gjermania, Norvegjia, Polonia, Letonia, Hungaria dhe Lituania që kanë vendosur kufizime të ngjashme. Një vit më parë, ministria ndaloi edhe shitjen e pijeve energjike në shkolla në mbarë vendin./Periskopi/

Shpërndaje në: