Stavileci nënkryetar i Prishtinës: PDK-ja mohon të ketë arritur marrëveshje me LDK-në

Periskopi.com Lajme

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka mohuar të ketë marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës që ta ketë pozitën e nënkryetarit të Komunës së Prishtinës, e që kjo do t’i takonte Blerand Stavilecit.

Arben Gecaj, sekretar i përgjithshëm i degës së PDK-së në Prishtinë tha për Kp se një marrëveshje si kjo nuk e kanë me askënd.

“Jo, nuk kemi asnjë marrëveshje me askënd Dega e Prishtinës – PDK, me ofertën e saj është partia e tretë në këtë garë. Ne nuk mundemi të caktojmë asnjë nënkryetar në komunë”, tha Gecaj.

Gecaj ka mohuar edhe të ketë pasur ndonjë ofertë nga LDK si partia fituese e zgjedhjeve lokale.

“Jo, nuk kemi pasur, ne jemi opozitë në kuvend komunal, me 9 asamblist”, theksoi Gecaj.

Kujtojmë që PDK në zgjedhjet komunale garoi me Uran Ismailin.

Por që LDK fitoi Prishtinën në rundin e dytë të zgjedhjeve lokale që u mbajtën më 14 nëntor.

Përparim Rama nga LDK arriti ta përmbysë rezultatin e rundit të parë dhe ta fitojë garën përballë Arben Vitisë së Vetëvendosjes.