Stuhia vdekjeprurëse bllokon lidhjet e transportit në Vankuver të Kanadasë

Stuhia vdekjeprurëse bllokon lidhjet e transportit në Vankuver të Kanadasë

Një stuhi vdekjeprurëse, e përshkruar nga zyrtarët si ngjarje që ndodh një herë në shekull, ka bllokuar rrugë e hekurudha përreth Vankuverit të Kanadasë.

Dy autostrada që e lidhnin qytetin e bregdetit perëndimor u mbyllën, pasi u dëmtuan nga vërshimet e ashpra, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.

Mijëra njerëz u detyruan që të largohen nga shtëpitë e tyre për shkak të stuhisë masive, që filloi të hënën. Një grua e humbi jetën nga rrëshqitja e dheut në një rrugë, ndërsa ekipet e shpëtimit thonë se së paku dy persona tjerë janë zhdukur.

Trupi i gruas u gjet afër Lillooet, rreth 250 kilometra larg Vankuverit, sipas policisë kanadeze. Një zyrtare policore tha se ekipet e shpëtimit ende nuk e kanë përcaktuar numrin e veturave që janë mbuluar nga dheu.

Ministri provincial i Transportit, Rob Fleming, tha në një konferencë për gazetarë se kjo është stuhia më e keqe e motit në një shekull.

Mijëra shtëpi në rajonin e Kolumbisë Britanike janë evakuuar. Të gjithë 7.000 banorët e qytezës Merritt u urdhëruan të hënën që të largohen nga shtëpitë e tyre. Atje pati edhe reshje bore të martën dhe veturat u panë duke lundruar në ujërat e akullt të vërshimeve.

Ekipe me helikopterë u dërguan në qytezën malore, Agassiz, për të shpëtuar rreth 300 njerëz, të cilët mbetën të ngujuar pas bllokimit të një rruge.

Shpërndaje në: