Supremja mbron shtetin nga diktatura – vendimet e Kurtit dhe ministrave në detyrë i cilëson anti-kushtetuese

Supremja mbron shtetin nga diktatura – vendimet e Kurtit dhe ministrave në detyrë i cilëson anti-kushtetuese

Gjykata Supreme e Kosovës të martën ka vlerësuar se nxjerrja e akteve nënligjore nga një person që ushtron njëkohësisht detyrën e deputetit dhe të ministrit është e kundërligjshme dhe shkel dispozitat kushtetuese.

Në një vendim të marrë lidhur me Udhëzimi Administrativ nr. 01/2025 për arkat fiskale digjitale, të nënshkruar nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, Supremja ka vlerësuar se “në përputhje me nenet 28 dhe 29 të Ligjit Nr. 08/L-117 për Qeverinë e Republikës së Kosovës, të cilat përcaktojnë se mandati i Qeverisë përfundon me përfundimin e mandatit katërvjeçar të Kuvendit, si dhe se mandati i anëtarëve të Qeverisë përfundon në rast të zgjedhjes së tyre si deputetë të Kuvendit, gjykata vlerëson se ministri në detyrë përgjegjës për nënshkrimin e aktit nënligjor normativ të kontestuar i ka përfunduar detyrat me përfundimin e mandatit të Qeverisë dhe me momentin e nënshkrimit, përkatësisht publikimit të tij në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës”.

Në një pjesë të vendimit të siguruar nga KOHA thuhet se në referim të kufizimeve të përcaktuara me nenin 31 të Ligjit për Qeverinë, Qeveria në dorëheqje është e autorizuar të kryejë vetëm aktivitetet e domosdoshme dhe të planifikuara në Planin vjetor të punës së Qeverisë dhe në ligjin vjetor për buxhetin, “duke përjashtuar miratimin e akteve nënligjore normative të reja”.

“Për gjykatën ishte i pakontestueshëm fakti se nga certifikimi zyrtar i rezultateve të zgjedhjeve, më datë 27.03.2025, ministri i MFPT Hekuran Murati figuron si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Sipas nenit 71 të Kushtetutës, ushtrimi i funksioneve të deputetit dhe të ministrit në të njëjtën kohë është i ndaluar. Pra, nxjerrja e Udhëzimit Administrativ nga një person që ushtron njëkohësisht detyrën e deputetit dhe të ministrit është e kundërligjshme dhe shkel dispozitat kushtetuese”, thuhet në vendim.

Gjithashtu thuhet se Gjykata nuk ka vlerësuar pretendimet dhe argumentet e tjera, “duke konsideruar se mungesa e autorizimit ligjor dhe mungesa e kompetencës funksionale për nxjerrjen dhe publikimin e aktit nënligjor normativ, përbëjnë shkelje të dispozitave ligjore dhe kushtetuese”.

“Prandaj, përderisa akti i kontestuar është nxjerrë nga një autoritet i paautorizuar dhe në mungesë të kompetencës ligjore, si dhe është në kundërshtim me parimet e ndarjes dhe kontrollit të pushteteve, Gjykata vlerëson se akti i kontestuar duhet të shfuqizohet si i kundërligjshëm dhe në shkelje të dispozitave kushtetuese”, thuhet në vendim./Periskopi/

E pritshme prej Hekuran Muratit – Sulmon Supremen pasi ia rrëzoi vendimin për arkat

Shpërndaje në: