Syla: Joprofesionalizmi i Speciales s’mund t’i fajësojë mediat dhe gazetarët

Syla: Joprofesionalizmi i Speciales s’mund t’i fajësojë mediat dhe gazetarët

Gazetari Valon Syla ka reaguar lidhur me paraqitjen e detyrueshme të gazetarit nga Kosova, Halil Berisha në gjyqin e Gjykatës Speciale kundër krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

Syla ka thënë se Berisha nuk do të ishte sot në Hagë po të ishte shtetas i ndonjë vendi tjetër. Ai i ka kritikuar edhe institucionet e Kosovës që tha se “po heshtin para arrestimit të një gazetari”.

“Reagim publik. Sepse kemi heshtje dhe fshehje të gjithë shoqërisë mediale. Gazetari Halil Berisha po të ishte gazetar dhe shtetas i ndonjë vendi tjetër, që nuk është i ish Jugosllavisë, sot nuk do të ishte në Hagë. Por është i Kosovës, ku Gjykata Speciale ka rregulla speciale edhe për lirinë e shprehjes për gazetarët. Fatkeqësia është që institucionet tona heshtin para arrestimit të një gazetari, ashtu siç heshtin kur Gjykata Speciale ju kërkon garancione për mbrojtje në liri për çlirimtarët që akuzohen atje në Hagë”, ka shkruar Syla.

Një gazetar nga Brukseli ose nga Haga, për një çështje të tillë tha se nuk do të thirreshin për t’u marrë në pyetje. Ai ka shkruar se joprofesionalizmi i Gjykatës Speciale, prej ku rrodhën dokuemntet, nuk mund t’i fajësojë mediat dhe gazetarët.

“Ai nuk është dëshmitar, por është i detyruar të jep përgjigje… për një punë që një gazetar nga Brukseli ose nga Haga nuk do të guxohej të merrej në pytje. Puna e Halilit e mediumit ku punon ka qene shume profesionale dhe teper e kujdesshme ne trajtimin e dosjeve qe i kane poseduar. Dosjet te cilat kane rrjedhur nga vete ajo gjykate. Inkompetenca dhe joprofesionalizmi i kësaj gjykate, nuk mund to fajësoj mediat dhe gazetarët. Turp”, shkroi Syla.

Gazetari Halil Berisha dje dhe sot është paraqitur si dëshmitar në Gjykatën Speciale ku është duke u mbajtur gjyqi kundër krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj. Ai para se t’u përgjigjej pyetjeve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar tha se është detyruar nga Specialja të paraqitet atje.

“Unë veç desha të them që nuk jam shumë i lumtur që sot jam këtu për të dëshmuar para juve. Kjo assesi nuk do ta pengojë faktin që unë do ta them vetëm të vërtetën. Megjithatë, unë këtu jam sepse më keni obligu”, tha Berisha.

Shpërndaje në: