Tahiri: Borrel e Lajçak janë shkarkuar dialogu i Brukselit ka vdekur
“Dialogu i Brukselit ka vdekur”.
Kështu ka thënë ish-kryenegociatorja e Kosovës për dialogun me Serbinë, Edita Tahiri, në një intervistë për Kosovapress.
“Këta dy ndërmjetësuesit Borrell dhe Lajçak u shkarkuan më herët, atëherë kur dialogu kalojë në duart e të mëdhenjve, kancelarit Olaf Scholz, presidentit Emmanuel Macron dhe kryeministres Giorgia Meloni. Këta kanë qenë të shkarkuar, por nuk e bënë të njohur, pasi BE-ja kur ka probleme nuk i bënë publike dhe tash pas zgjedhjeve do të vijnë tjerë”, tha Tahiri.
Duke folur për mundësitë që ish-presidenti slloven, Borut Pahor, të zëvendësojë Lajçakun, Tahiri thotë se ai është politikan serioz dhe se Sllovenia është përkrahëse e Pavarësisë së Kosovës.
“Nuk është kohë të analizojmë, por mendoj se Sllovenia ka qenë përkrahëse e pavarësisë së Kosovës, ndërsa Pahor është një politikan serioz. Fundja ku të shkon si ndërmjetësues ai do të veprojë si përfaqësues i BE-së dhe do të sillet si i tillë”, potencoi Tahiri.
Ajo ka theksuar se është optimiste se do të votohet për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës.