Tahiri-Kurtit: Stop taktizimit, duhet ta implementosh Ligjin e Pagave

Periskopi.com Lajme

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit Albin Kurti për ndryshime në krye të organizatave sindikale.

Tahiri në Facebook ka shkruar se me deklaratën e fundit, kryeministri Kurti ka zgjedhur të taktizojë komunikimin virtual me sindikata.

“Ligji i Pagave nuk ka të bëjë asgjë me ndërrimin e udhëheqësve të sindikatave, por me rreth 80,000 mijë zyrtar publik të këtij vendi! Me deklaratën e fundit, kryeministri Kurti ka zgjedhur të taktizojë komunikimin virtual me sindikata. Në një anë, ai thotë se duhet të ndryshohen përfaqësuesit e sindikatave, ndërsa në anën tjetër, e konfirmon takimin me ta. Kurti preferon presionin para bashkëpunimit, ndërhyrjen para përfshirjes, pushtetin para të tjerëve dhe para partneritetit. Stop, taktizimit, votojeni amendamentin buxhetor me 22 dhjetor 2021”, shkruan Tahiri.

Ndryshe, kryeministri Kurti deklaroi sot se është mirë që të ketë ndryshime në krye të organizatave sindikale, njësoj siç kanë ndodhur ndryshime në politikë.

“Uroj që të ketë gjithandej ndryshime, pra siç po bëhen ndryshime në politikë, besoj se duhet të ketë ndryshime në çdo sferë të jetës shoqërore, profesionale, për shkak se jam i bindur që edhe punëtorët shëndetësorë, por edhe qytetarët e Kosovës, nuk mjaftohen që për shumë e shumë vite të vazhdojnë t’i përfaqësojnë të njëjtit njerëz”, tha ai në një konferencë për media.