Tahiri në Liban: Njohja e ndërsjellë mes dy shteteve sjellë paqe të qëndrueshme

Tahiri në Liban: Njohja e ndërsjellë mes dy shteteve sjellë paqe të qëndrueshme

Në këtë Konferencë po marrin pjesë përfaqësues të botës akademike, fetare, politike dhe intelektuale të Libanit dhe pjesëmarrës ndërkombëtarë. Një panel i është kushtuar dialogut mes dy shteteve Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, si një model për krijimin e paqes përmes marrëdhënieve fqinjësore mes dy shteteve. Pjesë e panelit janë përfaqësuesit e dyja shteteve.

Në hapje të forumit folën Dr. Guita Hourani nga instituti LDI, z. Suheil Matar, zëvendës president për çështje publike dhe komunikim në Universitetin “Notre Dame”, z. Amin Nehme, President i Iniciativës së Libanit për Dialog, z. Walid Moussa, President i Universitetit Notre Dame, z. William Zard, president i Bordit Mbikqyrës të LDI-së, Bahij Tabbara, ish-ministër i Drejtësisë së Libanit, Sheikh Malek al-Shaar, Myftiu i Tripolit dhe i veriut dhe John Bond nga Iniciativa Ndërkombëtare për Ndryshime në Universitetin e Oksfordit. Në këtë forum po ashtu morën pjesë edhe zyrtarë tjerë të Qeveritarë së Libanit, përfaqësues të OKB-së, BE-së, përfaqësues të korit diplomatik dhe organizatave tjera ndërkombëtare.

Paneli për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, u moderua nga Ambasadori William Habib, ish sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme të Libanit. Ministrja Tahiri mbajti një fjalim dhe iu përgjigj pyetjeve të shumta të pjesëmarrësve në këtë panel.

Ministrja Edita Tahiri foli për historinë e përpjekjeve për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës si dhe proceset paqësore që nga Rambuje, Vjenë dhe tani në Bruksel, si dhe progresin e shtetit të Kosovës në forcimin e shtetit sovran dhe demokratik si dhe subjektivitetin ndërkombëtar. Ajo tha se Kosova lindi si shtet pas luftës dhe sakrificave njëshekullore të popullit shqiptar dhe Kosovës, si një proces për të korrigjuar padrejtësinë e ndarjes së kombit dhe tokave shqiptare.  Ajo po ashtu foli për përvojën personale të saj si një nga liderët e lëvizjes për pavarësimin e Kosovës dhe si negociatore e paqes, si në kohën e luftës në Kosovë e poashtu në procesin e përpjekjeve për integrimet euro-atlantike, duke thënë se kushti evropian për fqinjësi të mirë ka bërë që Dialogu në Bruksel të jap rezultate mjaft të rëndësishme. Ministrja Tahiri theksoi se njohja e ndërsjellë mes dy shteteve sjellë një paqe të qëndrueshme në Ballkan dhe Evropë, duke ndërtuar marrëdhënie të mira ndërfqinjësorë me ish-armikun Serbinë.

Ajo po ashtu tha se Libani dhe libanezët e kuptojnë historinë tragjike por triumfuese të Kosovës sepse në të gjejnë pjesë të historisë së tyre të okupimeve. Ajo tha se Libani meriton të bëhet një qendër globale për dialog nga ana e OKB-së, sepse shembulli i respektimit të diversiteteve dhe bashkëjetesës mbi këtë vlerë e bën Libanin një model inspirues për dialog dhe paqe.

Duke folur për historikun e ndërtimit të shtetit të Kosovës, ministrja Edita Tahiri tha se me ndryshimet e mëdha globale pas përfundimit të luftës së ftohtë dhe të rënies së komunizmit dhe murit të Berlinit ka rënë edhe muri i Berlinit shqiptar, që kishte ndarë shqiptarët në Ballkan për shumë dekada.

“Pra këto ndryshime të mëdha hapën dyert për të drejtën e popujve për vetëvendosje dhe të drejtën e popullit të Kosovës për të vendosur vetë për të ardhmen e tyre, dhe populli i Kosovës vendosi, luftoi dhe fitoi pavarësinë së bashku me përkrahjen e aleatëve tanë, SHBA dhe vendet perëndimore” theksoi ministrja Tahiri.

Ajo po ashtu tha se historia e luftës dhe shtypjes nuk mund të ndryshoj as nuk mund të harrohet por ne po ndërtojmë ardhmërinë e shtetit tonë të ri për gjeneratat e reja dhe duam t’i lëmë në paqe me të gjithë madje edhe ish armikun Serbinë duke dialoguar për krijimin e një fqinjësie në paqe.

Ministrja Edita Tahiri ka shprehur mospajtim me prezantimin e historisë së zhbërjes së Ish – Jugosllavisë dhe historisë së Ballkanit nga ambasadori William Habib (ish-Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Libanit), duke i thënë se ish-Jugosllavia kishte tetë njësi federale dhe jo vetëm gjashtë republike, dhe njësitë federale kishin të drejtën për të vendosur vet, dhe mbi këtë bazë edhe u njohtë pavarësia e shtetit nga pjesa më e fuqishme e botës dhe se ajo vet kishte lobuar dhjetë vite si Ministre e jashtme e Kosovës në kohën e okupimit për të argumentuar para botës çështjen e Kosovës si një çështje e kombit padrejtësisht të ndarë shqiptar.

Në këtë panel ka folur edhe përfaqësuesi i Qeverisë së Serbisë në Dialogun e Brukselit z. Marko Gjuriq dhe poashtu gjatë ditës është mbajtur edhe një panel për kontributin për paqe të të rinjve ku kishte përfaqësues të të rinjve nga shtete të ndryshme përfshirë edhe znj. Arbora Aliaj nga Shqipëria.

Ministrja Tahiri u ndal edhe tek roli i saj si negociatore e paqes në bisedimet e Brukselit.

Fjala e ministres Tahiri:

Kur unë pranova të jem kryenegociatore, qytetarët ishin të zhgënjyer, ngase unë isha e njohur si patriote, nacionaliste, lidere, ministre e Jashtme gjatë kohës së okupimit ku kam udhëtuar gjithandej nëpër botë për të prezantuar argumentet për vetëvendosje dhe pavarësi të Kosovës. Duke e njohur kontributin tim atyre nuk iu ka pëlqyer që unë të shkoja në Bruksel për të biseduar me palën serbe, por më lejoni t’ju them se unë e kam pranuar me kënaqësi këtë detyrë, jo se është e lehtë, por sepse e dijë se vendimet e vështira duhet t’i marrin përsipër liderët, ndërsa populli do t’i vlerësojë kur i sheh rezultatet përfundimtare. Populli jonë kërkonte që dialogu me Serbinë të fillojë pasi Serbia të kërkoj falje për gjenocid dhe pasi ta njeh pavarësinë e Kosovës dhe kishin të drejtë, mirëpo dialogu për paqe është proces që do rezultojë me zgjidhje në këto kërkesa.

Unë besoj se njerëzit që marrin përsipër të bëjnë paqe e dinë se paqja bëhet me armikun dhe ndryshimet vijnë nga njerëzit që pranojnë të ndryshojnë dhe vet pozitivisht. Më lejoni t’ju tregojë se si unë kam ndryshuar, pas përfundimit të luftës, pasi u çlirua populli im dhe nuk kishte më shtypje, unë shkova për studime në Harvard, sepse më duhej kohë për ndryshime ngase për dhjetë vjet kam luftuar kundër armikut në mbrojtje të popullit tim.

Koha ishte për ta transformuar vetën nga dikush që kishte bërë rezistencë në dikë që duhet të mendojë se si të bëjë paqe. Fitimi i luftës është një fitore e madhe por fitimi i paqes është të sigurosh një të ardhme më të mirë për gjeneratën e ardhshme. Periudha në shkollën John Kenedi të Univeristetit të Harvardit ishte për mua jo vetëm mësim por edhe mundësi që të punojë me veten time, për të ndryshuar mënyrën e të menduarit, me një qasje më paqësore. Prandaj kur e pranova detyrën e kryenegociatores, në një mënyrë isha gati që në të vërtetë të negociojë dhe kjo  kërkon vizion, luftë shumë të argumentuar në tavolinë, durim dhe po ashtu kreativitet që të mbrosh interesin kombëtar por edhe të gjesh zgjidhje, dhe e gjithë kjo është e mundshme. E thash këtë ngase tashmë kemi arritur më shumë se tridhjetë marrëveshje, në më shumë se pesë vjet dhe do të arrijmë të tjera në të ardhmen.

 

Kur unë fillova me punët e Jashtme, në periudhën e okupimit të Kosovës, Kosova ishte ‘terra-incognita’, mua më duhej që ta marr hartën me vete që t’i tregoj botës në hartë se ku është shteti im. Sot Kosova është vend i njohur me njohje të fuqishme të pavarësisë nga SHBA-të dhe vendet perëndimore, me një orientim të qartë euro-atlantik. Kur thash vendet perëndimore nuk e kisha fjalën në aspektin gjeografik por në atë demokratik si vendet që e duan paqen dhe demokracinë.

Gjatë periudhës së luftës ne kemi bërë bisedime paqësore me Serbinë, në konferencën e Rambujesë, unë isha anëtare e delegacionit të Kosovës aty. Ajo ishte përpjekja e fundit diplomatike për të bërë paqe në mes të Kosovës dhe Serbisë, pas kësaj SHBA dhe vendet e Aleancës morën vendim për të ndërhyrë ushtarakisht mbi Serbinë që ta ndalin luftën përmes intervenimit të NATO-s.

Mirëpo Serbia e asaj kohe të Millosheviqit ishte agresore, shkatërroi Ballkanin, i cili jo vetëm që e shkatërroi Kosovën po edhe Bonjën dhe Kroacinë, nuk pranoi ta nënshkruante marrëveshjen për paqe dhe për pasojë Serbia u detyra me forcë ta largohet nga Kosova.

Nëse më pyetni sot, si një politikane me përvojë dhe një studiuese që është marrë me marrëdhëniet ndërkombëtare, se a do të duhet përdorimi i forcës për të bërë paqe? Sepse paqja dhe lufta janë ‘oksimoronë’ , por më duhet të them se nganjëherë duhet edhe përdorimi i forcës për të bërë paqe. Do të ishte më e mira që paqja të bëhet në mënyrë origjinale, por nganjëherë nuk funksionon ashtu. Por në Bruksel nuk ka nevojë për forcë, Bashkimi Evropian na ka vendosur neve kushte ose stimuj, quajeni si të doni. Të dyja shtetet Kosova dhe Serbia duan të bëhen anëtare të BE-së, kjo e fundit ia ka bërë të qartë të dyjave se nëse duam të jemi anëtare të BE-së duhet të keni marrëdhënie të mira ndërfqinjësore. Që kjo të jetë e mundshme Serbia duhet të heqë nga Kosova strukturat e saja paralele që i ka vendosur në Kosovë pas përfundimit të luftës dhe OKB përmes misionit të saj në Kosovë ka dështuar që të qeverisë të tërë Kosovën, një pjesë e saj ka mbetur nën tension. Dialogu i Brukselit po ndihmon që serbët e kësaj pjese të integrohen në sistemin e Kosovës ngase serbët tjerë në Kosovë vetëm se janë të integruar dhe strukturat paralele janë duke u shuar. Qëllimi ynë është që t’i kemi të gjithë minoritetin serb të integruar, ky proces po shkon mirë, Kushtetuta jonë garanton standarde të mira për të gjitha pakicat që jetojnë në Kosovë dhe për serbët akoma më shumë të drejta se të tjerët me qëllim që të ndihmohet procesi paqësor në mes të dy shteteve.

Në fund dua t’ ju them që shqiptarët i kanë tri religjione, janë myslimanë, katolikë dhe ortodoks, unë gjithmonë e kam promovuar që shqiptarët në Ballkan, veçmas Shqipëria dhe Kosova mund të ndihmojnë në moderimin e ndonjë përplasje të mundshme në mes të civilizimeve. Andaj fuqishëm besoj se Libani, mund ta luaj një rol të shkëlqyeshëm në promovimin e dialogut jo vetëm në Lindje të Mesme por edhe gjithandej botës, andaj, fillimisht dua të uroj gjithë juve që punoni në këtë iniciativë dhe dua të them se unë personalisht por edhe Kosova do të lobojë që në Liban, OKB-ja të themelojë Qendrën Universale të Dialogut dhe një ditë të shohim Libanin si një vend që ofron mundësi për vendet tjera mundësi për ndërtimin e paqes./ Periksopi

Shpërndaje në: