Tahiri: Reagimi i pushtetit ndaj mediave tregon se bashkëqeverisja PDK-VV është e paimagjinueshme
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri ka thënë se edhe në ditën kur publikohet raporti i Reporterëve pa Kufij, pushteti nuk ndalet së sulmuari mediat, raporton Periskopi.
Tahiri përmes një postim në rrjetin social Facebook, ai është shprehur se ky reagim flet më shumë se çdo raport, sipas tij, tregon fytyrën e vërtetë të këtij pushteti dhe frikën e tyre nga fjala e lirë.
“Këmbëngulja që mediat duhet të kontrollohen është shenjë e qartë e mendësisë autoritare që i udhëheq. E ardhmja që ata duan është një vend pa zë kritik, pa liri mediatike dhe pa demokraci të vërtetë”.
“Dallimet tona me ta janë aq të mëdha, sa bashkëqeverisja mes PDK-së dhe VV-së është e paimagjinueshme. Liria e shprehjes nuk negociohet!”, ka thënë Tahiri.
Postimi i plotë:
Kujtojmë, Kosova e ka shënuar rënien më të madhe në 15 vjetët e fundit në indeksin vjetor për lirinë e shtypit të organizatës Reporterët pa Kufij, duke u renditur në vendin e 99-të në botë nga 180 shtete.
Ky është viti i dytë radhazi që Kosova shënon rënie, pasi në vitin 2024 ra nga vendi i 56-të në atë të 75-të.
Në raportin e publikuar nga Reporterët pa Kufij, më 2 maj, në prag të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, Kosova renditet më së keqi në zonën e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.
Edhe, Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ) kanë dënuar fuqishëm fushatën e partisë së kryeministrit në dorëheqje Albin Kurti ndaj gazetarëve dhe AGK-së. Sekretari Gjeneral i EFJ Ricardo Gutierrez, ka thënë se EFJ e konsideron Kurtin bashkëpunëtor në veprime të tilla skandaloze.
EFJ në reagim thonë se sulmet ad-hominem ndaj gazetarëve janë përpjekje për t’i penguar ata dhe ngacmimi e frikësimi i tyre janë të denja për regjimet autoritare, transmeton Periskopi.
Për këtë sjellje, Gutierrez ka thënë se do të raportojnë edhe në Këshillin e Evropës, BE dhe Partinë e Socialistëve Evropianë./Periskopi/



