Taksa e lartë zvogëlon importin e fishekzjarrëve

Taksa e lartë zvogëlon importin e fishekzjarrëve

Ky vit ka shënuar rënie të importit të fishekzjarrëve.

Sipas të dhënave zyrtare nga dogana, Kosova ka importuar më pak fishekzjarrë dhe mjete të tjera piroteknike se në vitet e kaluara.

Adriatik Stavileci, zëdhënës i Doganës së Kosovës, tha për KALLXo.com se importi i fishekzjarrëve këto dy vjetët e fundit ka rënë për shkak të rritjes së taksave nga Qeveria e Kosovës.

“Gjatë dy viteve të fundit ka rënie të importit të fishekzjarrëve pasi që me vendim të qeverisë është vendosur norma e akcizës në lartësinë prej 2 eurove për kilogram,” tha Stavileci.

Sipas shifrave zyrtare të Doganës, këtë vit në Kosovë kanë hyrë afër 70 mijë kilogramë fishekzjarrë dhe mjete të tjera piroteknike në vlerë prej 88 mijë eurove.

“Kemi një rënie të madhe të numrit të importit. Përderisa para vendosjes së akcizës kishte import deri në 900.000 kilogramë brenda një viti, tani ai ka rënë në rreth 70.000 kilogramë brenda një viti,” tregoi zëdhënësi Stavileci.

Muaji dhjetor shënon muajin me importin më të madh të fishekzjarrëve gjatë vitit.

Këto mallra importohen kryesisht nga Kina, ndërsa një pjesë e vogël e tyre nga vendet europiane.

Në vitin 2012 Kosova importoi fishekzjarrë në vlerë prej 2.7 milionë eurove, ndërsa në 2013-ën shpenzoi në këto mjete 3 milionë euro.

Për festat e fundvitit fishekzjarrët lejohen të përdoren në Kosovë nga 26 dhjetori deri më 2 janar.

KALLXO.com vitin e kaluar i pyeti qytetarët e Prishtinës se sa shpenzojnë për festën e Vitit të Ri, duke marrë përgjigje për harxhime nga 20 deri 150 euro.

Shpërndaje në: