Tarifat amerikane, Meloni kundër Trumpit: Veprimi i tij është një gabim
Italia mund të mos jetë ndër vendet e kërcënuara me tarifa të reja amerikane, por kjo nuk e ka ndalur kryeministren Giorgia Meloni t’i shprehë drejtpërdrejt qëndrimin e saj presidentit amerikan, Donald Trump, lidhur me këtë vendim.
Meloni ka deklaruar se nuk pajtohet me njoftimin e tarifave të reja nga ana e Trumpit, duke e cilësuar këtë veprim si një “gabim”.
“Parashikimi i një rritjeje të tarifave kundër atyre kombeve që kanë zgjedhur të kontribuojnë në sigurinë e Grenlandës është një gabim dhe unë nuk pajtohem me të”, ka thënë ajo.
Kryeministrja italiane ka bërë të ditur se kishte folur me Trumpin disa orë më parë, duke i shprehur atij mendimin e saj për këtë çështje.
“Mendoj se ai ishte i interesuar të dëgjonte, por më duket se nga pikëpamja amerikane, mesazhi që po vinte nga kjo anë e Atlantikut nuk ishte i qartë”, ka shtuar Meloni, pa zbuluar reagimin e Trumpit ndaj fjalëve të saj.
Ajo ka sugjeruar se ka të ngjarë të ketë pasur një “problem mirëkuptimi dhe komunikimi” mes Evropës dhe Shteteve të Bashkuara lidhur me vendimin e disa shteteve evropiane për të vendosur një numër të kufizuar trupash në Grenlandë.
Sipas Melonit, ky vendim nuk duhet të interpretohet si “anti-amerikan”.
Prandaj, ajo ka theksuar se “dialogu duhet të rifillojë dhe të shmanget një përshkallëzim”./Periskopi/



