​Të hënën protesta e studentëve shqiptarë, Mexhiti: Thirrje për vetëdijësim në Maqedoninë e Veriut

​Të hënën protesta e studentëve shqiptarë, Mexhiti: Thirrje për vetëdijësim në Maqedoninë e Veriut

Njëri nga liderët e VLEN në Maqedoni të Veriut, Izet Mexhiti, ka reaguar lidhur me protestën e studentëve shqiptarë, e cila do të mbahet nesër në orën 12:30 në Shkup.

“Politika gjuhësore në Maqedoninë e Veriut, për fat të keq, është rregulluar me një ligj gjysmak. Ligjet gjysmake japin zgjidhje gjysmake. Prandaj protesta e nesërme është thirrje për vetëdijësim për të gjithë aktorët politikë e shoqërorë të cilët duhet të kontribuojnë për zgjidhje më të mira ligjore dhe politika afatgjate institucionale në vend”, shkroi Mexhiti, transmeton KosovaPress.

Ai u bëri thirrje për ndërgjegjësim në vend të politizimit, duke theksuar se protestat studentore gjithmonë janë alarm për dukuritë shoqërore të cilat strukturat politike duhet t’ i trajtojnë në tërësi.

Përmes mesazhit “Gjuha shqipe thërret – zëri yt është fuqia jonë”, studentët shqiptarë të hënën protestojnë për provimin shqip të jurisprudencës, duke e konsideruar si të drejtë legjitime dhe kushtetuese.

Ndryshe, ditët e fundit studentët shqiptarë në Shkup, Tetovë, Kumanovë, Gostivar dhe Kërçovë kanë nisur aksion simbolik duke vendosur afishe në vende të ndryshme të qyteteve, përmes të cilave kërkojnë që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe. Në afishet e vendosura, mesazhi është i qartë: “Shqip kemi mësuar – provimin shqip do japim”, duke shprehur pakënaqësinë dhe kërkesën për respektimin e të drejtës për arsimim në gjuhën amtare./Periskopi/

Shpërndaje në: