Të mërkurën fillon gjykimi ndaj Salih Mustafës – Specialja cakton 9 seanca gjyqësore brenda 2 javësh ndaj tij

Të mërkurën fillon gjykimi ndaj Salih Mustafës – Specialja cakton 9 seanca gjyqësore brenda 2 javësh ndaj tij

Të mërkurën, më 15 shtator, ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa do të dalë para gjyqtarëve të Gjykatës Speciale në seancën e parë të gjykimit të tij.

Por, ajo që bjen në sy është fakti se ndaj Mustafës, brenda muajit shtator nga data 15 deri më datë 28 janë caktuar 9 seanca gjyqësore ndaj Salih Mustafës.

Mustafa u arrestua në shtator të vitit 2020, aso kohe, Gjykata Speciale nëpërmjet një komunikate tregonte se ndaj të njëjtit është konfirmuar aktakuza. Ai gjithashtu ishte i arrestuari i parë i Speciales.

“Salih MUSTAFA u arrestua sot në Kosovë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në bazë të një fletarrestimi, urdhri për transferim dhe aktakuzës së konfirmuar, të lëshuara nga një gjykatës i procedurës paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës”, thuhej në njoftimin e Speciales.

Por kush është Salih Mustafa?

Mustafa ka qenë pjesë e organizimit të Lëvizjes Kombëtare për Çlirim, që nga viti 1988, nën udhëheqjen e Afrim Zhitisë, Fahri Fazlisë e Fadil Vatës.

Gjatë veprimtarisë ilegale, ishte arrestuar nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit, në vitin 1993 dhe është dënuar me 5 vite burgim për organizim të kryengritjes së armatosur.

Në gusht të vitit 1997, pasi përfundon dënimin me burgim, Mustafa ishte angazhuar për organizimin dhe shtrirjen e UÇK-së në rajonin e Prishtinës, Obiliqit, Gjilanit, Vitisë e Kamenicës.

Ka udhëhequr njësitet guerile të UÇK-së nën emrin guerilja BIA deri me themelimin e zonave operative të Llapit dhe Karadakut.

Mustafa ka qenë bashkëveprimtar i Bahri Fazlisë, Agron Rrahmanit, Ilir Konushevcit, Raif Qelës, Fatmir Humollit, Isa Kastratit e shumë figurave tjera të UÇK’së.

Salih Mustafa ka qenë njëri nga themeluesit e LKQK-së.

Ai shërbeu si shef i departamentit informativ të Trupave Mbrojtëse të Kosovës, pastaj edhe si këshilltar për inteligjencë i kryeministrit Agim Çeku.

Për çfarë akuzohet Salih Mustafa nga Specialja?

Pas arrestimit, Gjykata Speciale nëpërmjet një njoftimi për media në formë të shkurtër kishte treguar se për çfarë akuzohet Salih Mustafa.

“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar. Në aktakuzën e konfirmuar, Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jondërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt.”, thuhej në njoftimin e Speciales për aktakuzën ndaj Mustafës.

Shpërndaje në: