‘’Telenovela’’ e Kuvendit, çka pas 30 ditëshit të Kushtetueses? Ja kush po paralajmëron zgjedhje të reja

‘’Telenovela’’ e Kuvendit, çka pas 30 ditëshit të Kushtetueses? Ja kush po paralajmëron zgjedhje të reja

Më 26 qershor 2025, Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi me shumicë votash që Kuvendi duhet të përmbyllë seancën konstituive brenda 30 ditëve nga shpallja e rezultatit zgjedhor – duke emëruar kryetarin dhe nënkryetarët .

Pavarësisht kësaj, përpjekja e së martës për konstituimin e Kuvendit dështoi për të 40‑tën herë, duke nxjerrë në pah mungesën e një konsensusi politik: deputetët nuk gjetën pajtueshmëri për formimin e komisionit për votim të fshehtë dhe emërimin e Albulena Haxhiut.

 

Në përpjekje për të zhbllokuar situatën, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ftuar në takim liderët e partive politike parlamentare.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka kritikuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për përmbylljen e seancës konstituive, duke theksuar se caktimi i një afati pa përcaktuar pasojat në rast të mosrespektimit është problematik dhe i paqartë.

Sipas tij, aktgjykimi i Kushtetueses nuk ka një dispozitiv të qartë që do të mundësonte zbatimin e tij praktik.

 

“Vendimet e Gjykatës Kushtetuese në Kosovë janë të vetë zbatueshme dhe nuk kanë mekanizma ekzekutivë apo sanksione ligjore të drejtpërdrejta, për dallim nga disa vende evropiane si Shqipëria apo Austria, ku vendimet shoqërohen edhe me pasoja penale ose masa institucionale,” tha Hasani.

Ai sqaroi se Kushtetuta parashikon që seanca konstituive duhet të përmbyllet brenda 50 ditësh, dhe partia që ka shumicën parlamentare duhet të sigurojë 61 vota për të formuar institucionet e reja.

“Nëse kjo nuk ndodh brenda 30 ditëve, e drejta duhet t’i kalojë një subjekti tjetër politik,” deklaroi Hasani.

Mazllum Baraliu, njohës i çështjeve juridike dhe ish-anëtar i Kushtetueses, e konsideron vendimin e Gjykatës si të drejtë dhe të balancuar.

 

“Vendimi i Kushtetueses është i arsyeshëm dhe i qëndrueshëm për arsye se 30 ditë, pas gjithë këtyre muajve që nuk janë marrë vesh deputetët, është kohë e mjaftueshme,” tha ai.

Sipas tij, nëse nuk arrihet marrëveshje brenda këtij afati, atëherë do të duhej të lëshojnë pe ata që kanë mundësi, vetëm me një ngritje dore, në interes të shtetit dhe të Kuvendit

‘’ Nëse nuk arrihet marrëveshje mes partive brenda këtij afati do të duhej të lëshojnë pe ata që kanë mundësi vetëm me një ngritje dore në interes të shtetit e Kuvendit që të mos shkohet edhe një herë në zgjedhje’’, tha Baraliu.

Ai shton se Kuvendit i nevojiten vetëm pak vota më shumë për të zhbllokuar situatën, dhe përgjegjësia e parë, sipas tij, bie mbi subjektin që ka fituar më së shumti vota në zgjedhje

‘’ Përgjegjësia e parë kryesore i takon subjektit që ka marrë më së shumti vota dhe ata do të duhej të reflektonin’’, përfundoi Baraliu.

Avokati Xhevdet Smakiqi e konsideron aktgjykimin e Kushtetueses të qartë dhe në përputhje me rendin kushtetues dhe juridik.

Ai thekson se gjykata, përveç që ka caktuar afatin prej 30 ditësh, ka sqaruar se votimi i fshehtë mbetet në diskrecion të Kuvendit dhe asnjë parti nuk mund ta bllokojë mënyrën e votimit.

“Praktika parlamentare ka qenë që kryetari dhe kryesia janë zgjedhur me votim të hapur, pasi zakonisht ka vetëm një kandidat – prandaj në raste të tilla votimi i fshehtë nuk aplikohet,” shpjegon Smakiqi.

Ai paralajmëron se nëse brenda 30 ditëve Kuvendi nuk konstituohet, automatikisht humbet e drejta e deputetëve për të qëndruar në mandat dhe vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Sipas tij, Presidentja ka detyrimin që të thërrasë partitë për të caktuar datën e zgjedhjeve në rast se kjo situatë vazhdon.

‘’ Nëse brenda 30 ditëve nuk arrihet të konstituohet Kuvendi në mënyrë automatike humbet e drejta e deputetëve që të qëndrojnë  deputetë dhe vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme, Presidentja duhet t’i thërrasë partitë ta caktojë datën’’, deklaroi ai.

Naim Jakaj, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), vlerëson se vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese është shumë problematik dhe përmban tejkalim të kërkesës së saj.

Ai shpjegon se Kushtetuesja është pyetur për refuzimin e themelimit të komisionit për votimin e fshehtë të kryetarit të Kuvendit, por ka marrë vendim për çështje më të gjera lidhur me seancën konstituive, duke tejkaluar kështu kompetencat.

‘’Së pari, aktgjykimi i Kushtetueses është shumë problematik, sepse ajo që na bie në sy është tejkalimi i kërkesës. Kjo sepse Gjykata Kushtetuese është pyetur për një vendim për refuzimin e themelimit të komisionit për votimin e fshehtë të kryetarit të Kuvendit, ndërsa kjo nuk ka vendosur përkitazi me atë çështje, por ka vendosur përkitazi me seancën’’, tha Jakaj për FrontOnline.

Jakaj thekson se vendimi për afatin 30-ditor për konstituimin e Kuvendit është absurd, pasi nuk përcakton asnjë pasojë juridike apo kushtetuese në rast të mosrespektimit të tij.

“Është hera e parë që vendoset një afat me karakter kushtetues pa përcaktuar pasojat për mosrespektimin e tij – kjo do të mbetet në kujtesën institucionale,” tha ai.

Jakaj paralajmëron se nëse Kuvendi nuk konstituohet brenda 30 ditëve nga certifikimi i rezultateve, vendi do të përballet me një krizë institucionale

‘’Nëse Kuvendi nuk arrin të konstituohet brenda afatit që ka dhënë Gjykata Kushtetuese, që është 30 ditë nga certifikimi i rezultateve, atëherë vendi do të përballet me një krizë të rëndë institucionale që nuk e kemi parë më herët’’, thotë Jakaj .

Mosrespektimi i vendimeve të Kushtetueses, sipas Jakajt, rrezikon kalimin nga rendi demokratik në kaos institucional.

‘’Mosrespektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është shenjë serioze e rrezikimit të funksionimit të shtetit. Me rastin e moszbatimit të këtij vendimi ne do të kalojmë nga rendi demokratik në kaos institucional’’, përfundoi ai./Periskopi/

Shpërndaje në: