Thatësira më e madhe në 70 vjet, Italia shpall gjendjen e jashtëzakonshme

Periskopi.com Lajme

Italia ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në pesë rajone veriore mes thatësirës më të madhe në 70 vjet.

Kjo gjendje po zbatohet për rajonet Emilia-Romagna, Friuli Venezia Giulia, Lombardia, Piemonte dhe Veneto, tha qeveria në një deklaratë, shkruan Euronews.

Lëvizja e miratuar nga Këshilli i Ministrave parasheh 36.5 milionë euro të akorduara për të përballuar thatësirën.

Lugina e lumit “Po”, e cila prodhon rreth 40 për qind të ushqimit të vendit, duke përfshirë grurin dhe orizin, nuk ka pasur pothuajse asnjë reshje shiu për rreth katër muaj.

Lumi, më i gjati i Italisë, është shtatë metra nën mesataren.

Pothuajse gjysma e bagëtive italiane në rrezik

Gjendja e jashtëzakonshme synon të japë “mjete dhe kompetenca të jashtëzakonshme” për të siguruar zbatimin e ndërhyrjeve urgjente të nevojshme për të garantuar sigurinë publike, riparimin e dëmeve në pronën publike dhe private dhe kushtet normale të jetesës së popullsisë.

Sipas sindikatës më të madhe bujqësore në vend, Coldiretti, thatësira po kërcënon edhe gjysmën e bagëtive në Luginën e Po, ku prodhohet proshuta e Parmës.

Liqenet Maggiore dhe Garda kanë nivele më të ulëta se normalja e ujit për këtë periudhë të vitit, ndërsa më në jug ka rënë edhe niveli i lumit Tiber, i cili përshkon Romën.

Një pasojë tjetër e thatësirës është se prodhimi i energjisë hidroelektrike ka rënë ndjeshëm. Instalimet hidroelektrike, të vendosura në pjesën më të madhe në rajonet malore të Italisë veriore, prodhojnë gati 20 për qind të energjisë së vendit.

Njoftimi vjen një ditë pasi të paktën shtatë njerëz vdiqën pasi një akullnajë në Alpet italiane u shemb, “pa dyshim” e lidhur me ngrohjen globale, sipas kryeministrit italian, Mario Draghi.

Më shumë se njëqind komuna në veri të Italisë janë detyruar të miratojnë masa për të kursyer ujin. Verona, një qytet me një çerek milion banorë, dhe Piza së fundmi iu bashkuan atyre.