The Double Life of Véronique

The Double Life of Véronique

Shkruan: Ismail Tasholli

Filmi i Krzysztof Kieślowski-t, “The Double Life of Véronique”, i cili e problematizon jetën në kontekstin e “krizave identitare”, përmes personazhit të një gruaje, e ka një fjali dyshuese. Veronika i thotë babës: gjatë krejt kohës më duket që s’jam vetëm; në kuptimin që dikah nëpër dynja është edhe një Veronikë. Një gjysë tjetër.

Ngjashëm, në dilemat tona qytetare, për “parashikimin” e marrjes së vendimeve të rëndësishme politike të kryeministrit Albin Kurti, për nënshkrimin ose mosnënshkrimin e Zajednicës, ai na vjen i dyzum.

Fillimisht si Albin dhe pastaj si kryeministri Kurti. Edhe Albin Kurti, si Veronika, nuk është i vetëm në dynja. E ka një gjysë tjetër diku.

A do ta sakrifikojë Albini talentin e tij idealist, për të mbetur brenda identitetit të Kurtit – kalkulant i regjur, në vendimin e tij për t’i dhënë zgjidhje përfundimtare dialogut me Serbinë? Këtë nuk e dimë.

Kjo dilemë është pjellë e dy të kundërtave, për shkak të dyftyrësisë së tij diskursive brenda një kohe të shkurtër.

Në mëdyshjet se a do ta nënshkruajë Kurti marrëveshjen finale me Serbinë me Zajednicën n’t à, duke gjetur kompromisin e kërkuar me shumë haz nga bashkësia ndërkombëtare, të dyja përgjigjet janë valide: PO si kryeministri Kurti dhe JO si Albini.

Njani “grup” premisë ka të sotmen. Tjetri të djeshmen e tij. Para dhe pas pushtetit.

Ai që thotë PO llogarit në Kurtin e sotëm, si makiavelist dhe kalkulues, që pushtetin e ka obsesion e qëllim dhe nuk zgjedh mjete për ta mbajtur. Veçse, Zajednicën do t’i duhet ta paketojë në një rrafsh tjetër të lojërave gjuhësore për ta “zbutur” tronditjen.

Ai që thotë JO llogarit në Albinin e djeshëm, që idealizmin e tij e nxirrte nga disa parime të cilat e përjashtonin “kompromisin” si mundësi.

Argumenti i tyre është që Albini nuk do ta rrezikonte këtë “fytyrë” të së shkuarës që i dha shumë vota. Heqja përfundimtare e saj do t’i shkëpuste fijet ndërmjet “proletarëve” dhe liderit, ndërmjet ligjërimit dhe veprimit.

Për vet Albin Kurtin, nga cilado gjysë që e sheh realitetin, bota i del jo tamam. E mbrapshtë. Dhe e kthyer përmbys.

 

Shpërndaje në: